TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Çmimi i naftës, ka ndikuar në reduktimin e punës për anijet e peshkimit. Kreu i sindikatës së Peshkimit thotë se prej kohësh nuk po sigurojnë dot rrogat e punonjësve. Rritja e ndjeshme e çmimit të naftës e ka bërë thuajse të pamundur funksionimin normal të këtij sektori.
“Ne harxhojmë të paktën 40 litra naftë në orë. Nafta ka vajtur aty ku s’mban më, çmimi i peshkut është po ai. Të gjitha këto barka ndaj nuk dalin në det, vetëm për shkak të çmimit të naftës”, deklaroi për Euronews, Arben Kaja – pronari i një anijeje peshkimi. Si për të mos mjaftuar ngërçi i krijuar nga çmimi i naftës, një taksë e re për komunikimin me radio pritet të rëndojë edhe më shumë barrën fiskale që rëndon mbi këtë sektor.
“Me daljen e anijeve në det dhe kthimin e ekuipazheve nuk po arrijmë të sigurojmë rrogat e punonjësve. U bë kohë që është krijuar një hendek i hapur mes flotës së peshkimit dhe ministrisë nga e cila varemi”, deklaron Klodian Kapiti, kreu i sindikatës së peshkimit. “Një tjetër problem që është krijuar në mënyrë të papritur është një taksë e re që i është vënë flotës së peshkimit në të gjithë vendin. Ajo kap vlerën 430 mijë lekë të vjetër çdo vit për komunikimin me radio. Kjo taksë nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk ekziston në asnjë vend”, tha Kapiti.
Afrimi i sezonit turistik rrit ndjeshëm kërkesën për produktet e detit. Në kushtet e uljes së sasisë së peshkut në det dhe problematikave të theksuara të sektorit të peshkimit, tregu rrezikon të mos plotësojë të gjitha nevojat e klientelës për peshk të freskët në muajt në vazhdim.