AKTUALITET, 11 Qershor 2026, 13:22

Përplasja/ ‘KLSH na kërkon të gjitha dosjet’, kreu i Autoritetit të Konkurrencës ankohet në Kuvend: S’ia japim, ‘hetojnë’ vendimmarrjet tona

Përplasja/ ‘KLSH na kërkon të gjitha dosjet’, kreu i

Në një raportim të veprimtarisë vjetore në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, Kreu i Autoritetit të Konkurrencës Denar Biba ngriti një shqetësim të cilin e cilësoi si “jashtëzakonisht të rëndësishëm”.

Deputetëve iu ankua për për Kontrollin e Lartë të Shtetit, institucion i cili sipas tij shkon te “Konkurrenca” dhe kërkon dosjet e plota, të gjitha dosjet, edhe ato me informacion konfidencial apo sekret hetimor, për të hetuar mbi çdo vendimmarrje. 

“Pranë Autoritetit të Konkurrencës erdhi KLSH dhe kërkoi të gjitha dosjet me çdo lloj info konfidencial, sekret hetimor, për të hetuar në lidhje me vendimet tona.  Kjo gjë nuk është hera e parë. Edhe kur ka qenë Leskaj drejtues  ka pasur një përpjekje të tillë, edhe drejtuesi para meje. Edhe kolegët tanë të asaj periudhe kanë kthyer të njëjtën përgjigje, që është cenim i pastër i pavarësisë institucionit”, tha Biba.

Biba thotë se asnjë institucion, përveç gjykatës nuk mund të hetojë çdo lloj vendimmarrje të Autoritetit të Konkurrencës.

“Nuk mundet një institucion tjetër të thotë, vetëm gjykata mund të thotë që vendimmarrja juaj është proprocionale apo jo. Ne kemi diskreticionin, na e ka lejuar ligjin dhe vlerësojmë nën përgjuesin tonë, administrative, penale si do jetë vendimmarrja për një vendim të caktuar. Nuk mundet një institucion i pavarur, në këtë rast KLSH, apo edhe kuvendi i Republikës, përveçse si retorikë politike, që kjo vendimmarrja juaj është kështu apo ashtu”, tha Biba.

Para ligjvënësve Denar Biba tha se KLSH-së nuk do t’ia dorëzojë dosjet që kërkojnë.

“Nëse na keni mandatuar keni besuar tek ne, profesionalizmi jonë, diskreticionin ne do ta ushtrojmë në respekt të pavarësisë institucionale. S’kemi për t’ia dhënë KLSH, as sot as ndonjëherë, këto vendimet tona dhe nuk do ta vendosim veten në këtë lloj testi ku një tjetër institucion shumë më pak i trajnuar sesa ne, duhet të thotë jo duhet ta kishit marrë këtë vendim. Nuk mund të vijë te autoriteti i konkurrencës për të hetuar vendimin, pse ju vendosët kështu dhe jo ndryshe”, tha Denar Biba.

Ligji për Kontrollin e Lartë të Shtetit, e përcakton qartë se ky institucion, nëpërmjet auditimeve, synon përdorimin me efektivitet, efiçencë dhe ekonomicitet të fondeve publike, pronës publike dhe asaj shtetërore, zhvillimin e një sistemi të përshtatshëm të menaxhimit financiar si dhe kryerjen si duhet të aktiviteteve administrative.