TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Reshjet e shiut që përfshinë qytetin e Lezhës gjatë orëve pasdites së sotme krijuan probleme në disa zona urbane, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve.
Situata më problematike u regjistrua në lagjet “Besëlidhja” dhe “Skënderbeg”, ku si pasojë e intensitetit të reshjeve uji doli në sipërfaqe dhe u grumbullua në disa akse rrugore dhe blloqe banimi.
Kjo ka bërë që lëvizja e banorëve të jetë e kufizuar, ndërsa në disa segmente rrugore qarkullimi i automjeteve u vështirësua ndjeshëm.
Në lidhje me situatën reagoi edhe kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili theksoi se “kjo situatë është drejt zgjidhjes përfundimtare”.
Sipas tij aktualisht janë në proces punimet për sistemimin e ujërave të bardha dhe të zeza në qytet.
“Deri në përfundimin e këtij investimi, në muajt në vijim, sa herë që do të ketë reshje intensive, rreziku i situatave të tilla mbetet i lartë”, tha ai.
Megjithatë, sipas Ndreut, kjo është një fazë kalimtare dhe jo një problem që do të mbetet i pazgjidhur.
“Një nga arritjet për të cilat ndjehemi krenarë, është pikërisht ky projekt i rëndësishëm, i realizuar nga Bashkia, me mbështetjen e qeverisë Rama. Nuk ka vend për panik, as për ekzaltim dhe as për abuzim me situatën. Kërkohet mirëkuptim dhe bashkëpunim deri në përfundimin e plotë të investimit”, tha Ndreu.