TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Projektligji i cili parashikon përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat personale për pensionistët me rezidencë të huaj dhe të verbërit e punësuar dhe vetëpunësuar është prezantuar në Komisionin e Ekonomisë.
“Projektligji synon të sjellë një ndërhyrje të matur dhe mirëtargetuar në ligjin për tatimin mbi të ardhurave për përmirësimin e mëtejshëm të politikave tatimore. Nga njëra anë projektligji synon të rrisë aftësinë e Shqipërisë për të tërhequr individë si një atraksion për rezidencë për pensionistët dhe forcon mbrojtjen për kategori të veçanta të shoqërisë. Një nga përjashtimi tatimit të ardhurave personale për pensionistët me rezidencë të huaj. Projektligji adreson përjashtim për tatim nga të ardhurat personale për personat me statusin e të verbër, përfshirë ato që janë të punësuar”, tha Endrit Yzeiraj, Zv.Ministër i Financave.
Të ftuar në komisionin parlamentar grupet e interesit, që përfaqësojnë persona me aftësi të kufizuara, janë shprehur se duhet të zgjerohet gama e përfituesve pasi drafti është përjashtues.
“Përjashtimi për të verbrit të përfshijë të gjithë personat me aftësi të kufizuar. Një nga stimujt është ky. Invalidët nuk janë barrë për shëndetin”, tha Abdulla Omuri, Kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Punës.
Jonid Ferhati, Presidenti i Shoqatës së të Verbërve tha; “Togfjalëshi të vetëpunësuar të vetëm, do të thotë që një individ është i vetëpunësuar dhe punëson individ të tjerë që nuk përfitojnë nga ligji për statusin e të verbërve atëherë do të thotë që kjo pikë e ligjit për këtë të vetëpunësuar të verbër bie. Kjo do të sillte regres. Kjo duhet parë. Pjesa të vetëm të hiqet dhe të shtohet të punësuar ose të vetëpunësuar”.
“Çfarë ndryshimi ka një i verbër me një para apo tetraplegjik? Projektligji ka diskriminim. Sepse siç ka statusin i verbri kam dhe unë status. S’ju lejon konventa e OKB të bëni diskriminim të tillë”, tha Ndrek Ismailaj, Kryetar i Shoqatës të Para dhe Tetraplegjikëve.
Projektligji dërgon një sinjal të qartë dhe ftesë për diasporën shqiptare, pasi ky përjashtim tatimor shërben si një instrument efikas stimulues për t’i inkurajuar ata, që vitet e pensionit t’i kalojnë në atdhe dhe nga ana tjetër nxit kategorinë e të verbërve për punësim.