TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një delegacion prej 9 deputetësh të Parlamentit Europian do të mbërrijë në Tiranë javën e ardhshme. Delegacioni, i kryesuar nga kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme, David McAllister, do të zhvillojë takime pune nga data 16 deri më 18 shkurt në Shqipëri dhe Mal të Zi, dy vende kandidate që kanë avancuar në procesin e anëtarësimit, për të vlerësuar progresin dhe rrugëtimin e deritanishëm drejt aspiratës europiane.
Eurodeputetët do të diskutojnë për reformat prioritare, ndërsa pritet të rikonfirmojnë angazhimin e Parlamentit Europian për t’i mbështetur këto vende në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian.
Axhenda parashikon takime me qeveritë dhe parlamentet e Shqipërisë dhe Malit të Zi, me fokus kryesisht në përmbushjen e objektivave që burojnë nga grupkapitulli i Themeloreve. Si Tirana, ashtu edhe Podgorica, janë në pararojë të procesit të anëtarësimit. Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 13 kapituj negociues, ndërsa Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe është në pritje të mbylljes së tyre.
Brenda këtij viti, Shqipëria synon të mbyllë deri në 16 kapituj të negociatave, në mënyrë që brenda vitit 2027 të përfundojë i gjithë procesi teknik. Ky vit konsiderohet vendimtar për Shqipërinë, e cila duhet të përafrojë legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian dhe të mbyllë 33 kapitujt e negociatave vitin e ardhshëm, sipas një plani të dakordësuar me Brukselin.
Por sfidë mbetet vota politike, pasi anëtarësimi duhet të ratifikohet në parlamentet e 27 vendeve anëtare. Për këtë arsye, deputetët e parlamentit kanë nisur takime me kolegët europianë për t’i njohur nga afër me punën e bërë dhe reformat e ndërmarra, në përmbushje të ambicies që brenda vitit 2030 Shqipëria të ulet me të drejta të barabarta në tryezën e Bashkimit Europian.