AKTUALITET, 26 Janar 2023, 18:22

Pas Shkodrës grupet kriminale monitorojnë edhe Vlorën, çmontohen 16 kamera të vendosura në zonat më të frekuentuara

Pas Shkodrës grupet kriminale monitorojnë edhe Vlorën,

Përveç Shkodrës, grupet kriminale monitorojnë edhe Vlorën. Policia ka çmontuar sot 16 kamera, të cilat dyshohet se janë vendosur nga grupe kriminale, në zonat më të frekuentuara të qytetit.

Policia thotë se sot u zhvillua faza e tretë e operacionit “Fijet”, që  rezultoi me çmontimin e 16 kamerave që kontrolloheshin nga kontigjenti kriminal, me qëllim informimin.

Blutë e qytetit të Vlorës thonë se vijojnë hetimet në nivel qendror dhe vendor, me qëllim identifikimin e shtetasve që i kontrollonin këto kamera, për qëllime kriminale.

“Strukturat hetimore të DVP Vlorë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, në disa lagje të qytetit të Vlorës, me qëllim sigurimin e informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë çmontuar dhe sekuestruar 16 kamera, të dyshuara të lidhura me aparate celulare të shtetasve të ndryshëm. Këto kamera ishin instaluar në lagjet “Uji i Ftohtë”, “1 Maji”, “24 Maji”, “Lirim” dhe “Hajro Çakërri”.

Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.