AKTUALITET, 28 Mars 2026, 21:16

Paralajmëron Avokati i Popullit: Do inspektojmë institucionet e drejtësisë

Paralajmëron Avokati i Popullit: Do inspektojmë institucionet e

Avokati i Popullit, Endrit Shabani, ka njoftuar se do të kërkojë inspektime pranë institucioneve të drejtësisë për gjyqtarët dhe prokurorët që zvarrisin trajtimin e çështjeve, duke theksuar se abuzimi me pushtetin gjyqësor minon të drejtën e qytetarëve për një proces të drejtë dhe të shpejtë. Shabani nënvizoi se bashkëpunimi me organet përgjegjëse si ILD, KLP dhe KLGJ do të ndihmojë që gjyqtarët që nuk zbardhin vendimet e tyre të mos promovohen, duke u garantuar qytetarëve të drejtën e plotë kushtetuese.

Një nga shqetësimet kryesore mbetet zvarritja e çështjeve të pronës, që sipas Shabanit është problematikë e vazhdueshme edhe pas 36 viteve nga ndryshimet ligjore, duke detyruar shumë qytetarë të drejtohen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për të gjetur drejtësi. Ai shtoi se roli i zyrës së tij është gjithashtu monitorimi i zbatimit të vendimeve të kësaj gjykate në favor të qytetarëve dhe raportimi mbi çdo moszbatim.

Shabani ngriti shqetësime edhe për sistemin penitenciar, duke vënë në dukje raportin e lartë midis të paraburgosurve dhe të burgosurve. Ai tha se shumë persona qëndrojnë në paraburgim pa vendim të formës së prerë, duke rrezikuar të mbahet në paraburgim edhe dikush i pafajshëm. Kjo, sipas tij, është një problem sistemik që ka kosto sociale dhe ekonomike dhe tregon një mentalitet represiv që ende vazhdon në Shqipëri. Avokati i Popullit theksoi se çdo qytetar duhet të mbahet në burg vetëm pas vendimit të formës së prerë dhe jo për lehtësi procedurale.

Një tjetër fushë ku Avokati i Popullit po fokusohet është monitorimi i përdorimit të mjeteve nga Policia e Shtetit gjatë protestave. Shabani paralajmëroi se për të vlerësuar proporcionalitetin dhe domosdoshmërinë e përdorimit të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, është e nevojshme të ketë transparencë mbi protokollet dhe vendimmarrjen. Deri më tani, policia nuk ka dhënë informacionin e kërkuar, ndërsa Avokati i Popullit e konsideron këtë një prioritet për të garantuar respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe funksionimin e shtetit ligjor.

Shabani theksoi se zyrës së tij i është kërkuar të mbrojë qytetarët nga çdo shkelje e të drejtave dhe se Avokati i Popullit nuk është thjesht një vëzhgues, por një aktor aktiv në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke adresuar probleme që variojnë nga çështjet e pronës, pensionet, ndihmat ekonomike, strehimin dhe bonusin e qerasë.