TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Siguria në ndërtime duhet të trajtohet si një përgjegjësi e përbashkët dhe jo si detyrë e një institucioni të vetëm. Ky ishte mesazhi kryesor i Inspektorit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, gjatë tryezës shumëpalëshe me fokus “Siguria në Ndërtime dhe Reforma e Inspektimit Teknik në Shqipëri”.
Në fjalën e tij, Sula theksoi se diskutimi për sigurinë në ndërtime lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e jetës së qytetarëve, të cilët jetojnë, punojnë dhe marrin shërbime çdo ditë në këto objekte. Ai nënvizoi se rreziqet nga katastrofat natyrore dhe ato të shkaktuara nga njeriu kërkojnë një qasje të re.
“Siguria në ndërtime nuk mund të jetë përgjegjësi e një institucioni të vetëm, e një profesioni të vetëm apo e një hallke të shkëputur. Ajo kërkon bashkëpunim, standarde të përbashkëta, përgjegjësi të qarta dhe një sistem inspektimi që funksionon në mënyrë të koordinuar”, tha Sula.
“Sot nuk mblidhemi thjesht për të diskutuar një problem teknik. Mblidhemi për të folur për jetën e njerëzve. Qytetarët jetojnë, punojnë, mësojnë dhe marrin shërbime çdo ditë në këto ndërtesa. Zjarret, tërmetet, përmbytjet, temperaturat ekstreme dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike nuk mund të trajtohen më si ngjarje të rralla apo të jashtëzakonshme. Ato janë pjesë e realitetit të ri me të cilin duhet të planifikojmë, të ndërtojmë dhe të inspektojmë”.
Sipas tij, siguria e një ndërtese nuk përfundon me kolaudimin, por duhet të garantohet gjatë gjithë ciklit të përdorimit të saj. Çdo hallkë e dobët, nga materialet e përdorura deri te instalimet teknike, mund të kthehet në rrezik për sigurinë publike.
“Pyetja më e madhe është: a është ai objekt i sigurt gjatë gjithë jetës së tij? Siguria e ndërtesës nuk fillon dhe nuk mbaron në kantier. Kolaudimi është një moment i rëndësishëm, por nuk mund të jetë pika ku ndalet përgjegjësia. Një material që nuk i reziston zjarrit, një instalim elektrik i pakontrolluar apo një strukturë që nuk merr parasysh riskun sizmik mund ta kthejë sigurinë publike në një iluzion”, shtoi Sula.
Duke u ndalur te reforma e inspektimeve, Inspektori i Përgjithshëm tha se ajo synon kalimin nga kontrollet e vonuara te inspektimi parandalues, i bazuar në analizën e riskut dhe përdorimin e teknologjisë. Ai theksoi rëndësinë e profesioneve të specializuara, bashkëpunimit me universitetet dhe përfshirjes së biznesit si partner në garantimin e sigurisë.
“Siguria në ndërtime nuk është luks. Është detyrim ndaj qytetarëve”, përfundoi Sula, duke bërë thirrje për ndërtimin e një sistemi modern, transparent dhe të orientuar drejt parandalimit.