AKTUALITET, 2 Maj 2024, 08:30

Opozita interpelancë me Ballën dhe Manastirliun, çfarë pritet të ndodhë sot në Kuvend?

Opozita interpelancë me Ballën dhe Manastirliun, çfarë

Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare që të nisë në orën 10:00. Dy prej ministrave kryesorë të kabinetit janë thirrur në interpelancë nga deputetët e opozitës.

Deputeti demokrat Ervin Salianji ka kërkuar që Ministri i Brendshëm Taulant Balla të japë sqarime për situatën e kriminalitetit në vend dhe masat që kanë marrë për të frenuar atë që ai e quan trafik masiv të drogës. Nga ana tjetër deputetja demokrate Ina Zhupa ka kërkuar në interpelancë ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu për rezultatet e testit ndërkombëtar të PISA-s që e ka renditur Shqipërinë mes 15 vendeve të fundit.

Ndërkohë, sot kalon për votim edhe projektligji për 'Albcontrol' dhe projektvendimi për zgjedhjen e kryetarit dhe një anëtari të bordit të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike.

RENDI I DITËS:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 29.4.2024. (Neni 44, pika 2 e Rregullores së Kuvendit)

2. Njoftime
(Neni 44, pika 3 e Rregullores së Kuvendit)

3. Interpelancë me ministrin e Brendshëm, zotin Taulant Balla, kërkuar nga
deputeti Ervin Salianji.(Neni 80 i Kushtetutës, neni 96 e Rregullores së Kuvendit).

4. Interpelancë me ministren e Arsimit dhe Sportit, zonjën Ogerta Manastirliu, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.
(Neni 80 i Kushtetutës, neni 96 e Rregullores së Kuvendit).

5. Projektligj “Për ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror “Albcontrol”. (Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, dhe neneve 55, dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim)

6. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar. (Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, dhe neneve 55, dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim)

7. Projektligj “Për ratifikimin e Konventës për Marrëveshjet për Zgjedhjen e
Gjykatës”.

8. Projektligj “Për ratifikimin e protokollit për ligjin e zbatueshëm për detyrimet
ushqimore”.

9. Dekret nr. 295, datë 24.10.2023, “Për kthimin e ligjit nr. 77/2023 “Për disa shtesa
dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020 “Për shtetësinë”.

10. Projektvendim “Për zgjedhjen e kryetarit të bordit të Entit Rregullator të
Energjisë”.

11. Projektvendim “Për zgjedhjen e një anëtari të bordit të Entit Rregullator të
Energjisë”.

12. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.