AKTUALITET, 18 Mars 2026, 13:04

Operacioni/ Përplasi për vdekje 72-vjeçaren me motor elektrik pranë Gjykatës së Tiranës, arrestohet shoferi i autobotit të UKT-së!

Operacioni/ Përplasi për vdekje 72-vjeçaren me motor elektrik

Policia e Tiranës njoftoi sot (18 mars) se ka arrestuar shoferin 52-vjeçar të autobotit të ujit të UKT-së, që akuzohet se aksidentoi dje për vdekje pranë Gjykatës së Tiranës një 72-vjeçare që po udhëtonte me motor elektrik.

Ngjarja ndodhi në bulevardin “Gjergj Fishta” në kryeqytet, në zonën e njohur si ish-“Ekspozita”. Viktimë e përplasjes mbeti e moshuara Athina Bushi, që humbi jetën në vend.

Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, policia bëri me dije se viktima është penguar duke lëvizur me motomjetin elektrik dhe ka rënë në rrugë, por autoboti që drejtohej nga 52-vjeçari e ka përplasur me rrotat e pasme.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. B., 52 vjeç, pasi dje, mjeti që drejtonte është përfshirë në një aksident rrugor, me pasojë vdekjen e shtetases A. B., 72 vjeçe, e cila lëvizte me motomjet elektrik”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Hetimet për ngjarjen e rëndë janë aktive dhe priten rezultatet e ekspertizës auto-teknike.