AKTUALITET, 16 Prill 2024, 17:30

Nuk iu përgjigjej familjarëve prej 3 ditësh, 60-vjeçari gjendet i pajetë në banesën e tij në Berat

Nuk iu përgjigjej familjarëve prej 3 ditësh, 60-vjeçari

Një 60-vjeçar nga lagjja “Çlirim” në qytetin e Beratit është gjetur sot pa shenja jete në banesën e tij. Ai jetonte i vetëm në një pallat në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Mehmet Ali Vrioni” dhe prej 3 ditësh nuk po ju përgjigjej në telefon familjarëve, të cilët kanë njoftuar policinë.

Kanë qenë efektivët e shërbimit zjarrfikës ata që kanë hyrë me shkallë nga ballkoni i banesës dhe e kanë gjetur të shtrirë në krevat dhe pa shenja jete.

Në vendngjarje kanë shkuar edhe forcat e policisë, që po kryejnë procedurat e para hetimore. Sipas policisë, dyshohet se kemi të bëjmë me një vdekje natyrale pasi në trupin e viktimës nuk ka pasur shenja dhune, ndërkohë që nga të afërmit konfirmohet se ai kishte probleme me tensionin. Trupi i pajetë i 60-vjeçari u transportua drejt Morgut të Spitalit Rajonal Berat, ku do kryhet autopsia mjeko-ligjore, që do të përcaktojë edhe shkaqet e vdekjes së tij.