AKTUALITET, 24 Prill 2024, 13:46

Një hero i ditëve tona/ Erion Veliaj, edhe pse me drejtorët në burg, i shpëton jetën të moshuarës në Gjermani. Pamjet mbushin mediat dhe rrjetet (VIDEO)

Një hero i ditëve tona/ Erion Veliaj, edhe pse me drejtorët

Një hero i ditëve tona është shfaqur në aeroportin gjerman të Hanoverit. Ai është shqiptar dhe për më tepër qytetari i parë i Tiranës, Erion Veliaj.

“Lali”, i veshur sportiv, ka qëlluar në një moment delikat për jetën e një pasagjereje e cila është rrëzuar në dyshemenë e aeroportit gjerman. I pari që i ka ardhur në ndihmë gruas në moshë ishte ai, njeriu i ditëve tona, Erion Veliaj, i cili e kapi nga dy duart dhe me ndihmën edhe të një shoqëruesi po shqiptar, që e kapi nga krahët, e ngritën në këmbë dhe e ulën në stol.

Sjellja e Veliaj ka spikatur dhe sunduar në heshtjen dhe indiferencën mbytëse të turmës që ndodhej në gate, dhe e moshuara ka pyetur se kush ishte ky zotëri që e ndihmoi në atë moment të vështirë të jetës.

-Jam kryetari i bashkisë së Tiranës-iu prezantua Veliaj dhe më pas e ftoi të bëhej vizitore e kryeqytetit të Shqipërisë, që sipas bashkisë, pret me milona turistë çdo vit.


Këto pamje mbresëlënëse nuk kishin si mungonin në mediat shqiptare.   

“Erion Veliaj në ndihmë të qytetares. Në redaksi na mbërrin një video nga aeroporti i ‘Hannoverit’, ku mesa duket një qytetareje që i ka rënë të fikët, i ka ardhur në ndihmë vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës. Veliaj kthehej nga Panairi i Industrisë në Hannover, ku u prezantuan projekte për Zonën e Lirë Ekonomike të Tiranës”-shkroi para 40 minutash kanali Euronews Albania, degë e televizionit të njohur evropian, ndërsa pritet që ky lajm të mbushë të gjithë hapësirën mediatike të Tiranës, e cila mezi pret të raportojë për sukseset e Veliaj, por jo arrestimin e drejtorëve të tij mëse dy javë më parë, të akuzuar për krijimin e një grupi kriminal në bashki.

Një hero i ditëve tona/ Erion Veliaj, edhe pse me drejtorët

Pas daljes së pamjeve mbi 12 mijë të punësuarit janë orientuar që të bëjnë like dhe share postimit të këtij lajmi që ngre lart figurën e kreut të bashkisë. Dorian Korbeci, drejtues në UKT, u ka dhënë urdhër të gjithëve që të lënë çdo punë dhe ta shpërndajnë sa më shumë aktin më të fundit të njeriut të ditëve tona, Erion Veliajt, i cili, edhe pse me drejtorët në burg, apo në arrest shtëpie, nuk lë çast për të ngritur lart figurën e Tiranës.

Një hero i ditëve tona/ Erion Veliaj, edhe pse me drejtorët

Pas këtij zhvillimi dramatik në një aeroport të huaj, këshillohen udhëtarët që të mos qëndrojnë në një sallë pritje me kryebashkiakun e Tiranës, ndryshe do të rrëzohen nga shoqëruesi dhe do të ndihmohen nga Veliaj dhe pamjet do të shpërndahen globalisht, në sekondë.