TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Bashkimi Evropian duhet të pajiset me mjete shtesë për t’iu përgjigjur më shpejt anëtarëve të rinj që shkelin të drejtat thelbësore dhe parimet demokratike.
Kështu kanë deklaruar 5 vende anëtare, në një kohë kur procesi i zgjerimit të Unionit po bëhet gjithnjë e më urgjent.
Në një propozim të përbashkët të bërë nga Gjermania, Franca, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu rekomandohet që traktatet e anëtarësimit për pjesëtarët e ardhshëm të jenë të pajisura me klauzola mbrojtjeje për të penguar shkeljen e ligjit dhe për të vendosur masa të shpejta, si pezullimi i fondeve apo i së drejtës së votës.
Anëtarët e rinj duhet të kenë gjithashtu një të drejtë vetoje të kufizuar për një periudhë të pacaktuar, për të shmangur bllokadat e papritura për vendime të rëndësishme – thotë propozimi i parë nga Euronews.
Nisma është pjesërisht një përgjigje ndaj eksperiencës që BE përjetoi me Hungarinë e Viktor Orban, i cili u rrëzua nga pushteti prillin e kaluar pas 16 vitesh në detyrë, kohë gjatë të cilës pengoi disa herë vendimmarrjen e Unionit.
Gjithashtu, reformat e tij për të ndryshuar kontrollet dhe balancat e pushtetit çuan në një seri padish ligjore dhe ngrirje të fondeve evropiane.
Tani, dokumenti propozon një garanci të re kushtuar parimit të bashkëpunimit të sinqertë, të njëjtin që Orban u akuzua se shkeli duke vendosur veton mbi huan prej 90 miliardë dollarësh për Ukrainën.
“Bazuar në mësimet e nxjerra nga raundet e mëparshme të zgjerimit, na duhet një perspektivë e re për traktatet e ardhshme. Një zgjerim copy-paste sipas traktateve të mëparshme nuk mjafton. Të gjitha opsionet duhet të jenë në tryezë”, thotë dokumenti.
Dokumenti synon të ndikojë në bisedimet aktuale dhe të garantojë që traktati i anëtarësimit të Malit të Zi, të shërbejë si gur themeli për kandidatët e tjerë përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Moldavinë dhe Ukrainën.