AKTUALITET, 14 Prill 2026, 16:08

Meta: Rrëzimi i projektligjit për karburantet i pritshëm, kryeministri përfiton nga krizat! Rama shpiku krizën energjitike për të...!

Meta: Rrëzimi i projektligjit për karburantet i pritshëm,

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas rrëzimit në Komisionin e Ligjeve të projektligjit të kësaj force politike për uljen e çmimeve të karburanteve, duke e cilësuar vendimin si të pritshëm.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta akuzon kryeministrin se përfiton nga situatat e krizave, duke ua transferuar barrën qytetarëve dhe duke i shfrytëzuar ato për përfitime korruptive.

Ai sjell si shembuj menaxhimin pas tërmetit, pandeminë COVID-19 dhe krizën aktuale, ndërsa pretendon se edhe në mungesë krizash reale, ato “fabrikohen” për interesa përfitimi.

Meta kritikon gjithashtu politikat në energji dhe menaxhimin e mbetjeve, duke përmendur investime që sipas tij nuk kanë dhënë rezultate, si edhe çështjen e inceneratorëve.

Në reagimin e tij, ai ndalet edhe te bujqësia, duke theksuar se sektori është goditur rëndë vitet e fundit, çka sipas tij ka sjellë përgjysmim të blegtorisë dhe rritje të çmimeve të produkteve vendase.

Sipas Metës, rritja e taksave mbi karburantet dhe politikat fiskale kanë rënduar më tej situatën ekonomike dhe kanë ndikuar negativisht te prodhimi vendas dhe fermerët.