AKTUALITET, 18 Nëntor 2024, 22:32

Nga na vjen droga? Abilekaj debaton me Hodajn për “zero kokainë” në Portin e Durrësit

Nga na vjen droga? Abilekaj debaton me Hodajn për “zero

Analisti Enton Abilekaj, duke komentuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, faktin e çuditshëm se prej një viti nuk raportohet për kapje droge në Portin e Durrësit u shpreh se kjo është e pamundur sepse ne jemi në nyjë në hartën e trafikut të kokainës në Evropë. Ndërsa Ervin Hodaj, drejtor në Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit tha se Shqipëria është vend tranzit i drogës, siç janë edhe vendet e tjera të Ballkanit.

Pjesë nga biseda

Enton Abilekaj: Ka një ndryshim te ne, se ndodhin në Spanjë, ndodhin në portet e mëdha, si porti i Roterdamit, porti i Anversës në Belgjikë se janë porte të mëdha dhe hyn jashtëzakonisht shumë mall, në krahasim me Durrësin. Në portin e Durrësit ne kemi gati një vit që nuk dimë nëse tenton njeri të fusë drogë apo jo.

Ervin Hodaj: Droga që është kapur në dy laboratorët ka kaluar nga porti i Durrësit.

Enton Abilekaj: Po, pra po.

Ervin Hodaj: Ka kaluar në mënyrë të kontrolluar. Agjencitë ligjzbatuese janë aty.

Enton Abilekaj: Bananet vazhdojnë të fshihen, vazhdojnë të shtohen, frutat ekzotikë shtohen. Të kalojë te këto portet e mëdha, me ato sasi të mëdha mallrash është e mundur, por të kalojnë portin e Durrësit, propabiliteti është shumë i vogël dhe nëse ne pastaj hyjnë në listën e vendeve kryesore për trafikun në Evropë të kokainës, atëherë duhet të gjejmë se nga na vjen. Nëse nuk vjen nga porti i Durrësit, duhet të gjejmë nga na vjen. Pse jemi në nyjë në hartën e trafikut të kokainës në Evropë.

Ervin Hodaj: Jo nuk jemi.

Enton Abilekaj: Në raportet amerikane dhe evropiane del se është një nyje e trafikimit të kokainës në Evropë.

Ervin Hodaj: Shqipëria është një vend tranzit i lëndëve narkotike ashtu siç është çdo vend i rajonit të Ballkanit në lidhje me lëndët narkotike, siç është Greqia, Mali i Zi.

Enton Abilekaj: Nuk e kam lexuar raportin për Greqinë, por ata theksojnë Shqipërinë si të veçantë. E dyta është se në Shqipëri është një ekonomi e gjitha kriminale që po ndërtohet dhe kjo nuk është rastësi.