AKTUALITET, 30 Prill 2024, 17:04

"Ndihem i lehtësuar sot"/ Erion Veliaj del pas tetë orësh në SPAK, vazhdon me përrallën se ka vajtur si vullnetar (VIDEO)

"Ndihem i lehtësuar sot"/ Erion Veliaj del pas tetë

Erion Veliaj doli pas tetë orëve në brendësi të godinës së SPAK-ut. Ashtu si edhe para se të shkonte, në dalje ai tha se kishte shkuar atje vullnetarisht dhe se kishte kërkuar me kohë një takim dhe i cilësoi prokurorët si kolegë të cilët i falenderonte.

“Falenderoj koleget e SPAK-ut. Ma ka rritur bindjen se po bëhet një hetim për së mbari në Shqipëri. E vetmja gjë që ne mund të bëjmë është t’i forcojmë institucionet. Isha këtu si bashkëpunëtor, kisha kohë që kisha kërkuar takim. Pati një ezaurim total të çështjes së inceneratorëve. Sigurisht të dy kolegët hetues më kanë kërkuar që për çështje etike dhe sekreti hetimor të mos i ndaj gazetarët. Do jetë pjesë e zbardhjes së dëshmisë sime. Unë ndihem më i lehtësuar që pata mundësi të sqaroj fjalën time”- u shpreh Veliaj.

Veliaj u pyet nga gazetarja Klodiana Lala se përse u paraqit në SPAK një orë më përpara nga se ishte thirrur, por e shmangu pyetjen, duke thënë se “mund të merreni me makinën e Fahri Balliun dhe milionerëve të opozitës”.

Gazetarja Klodiana Lala: Pse erdhët një orë përpara në SPAK, kur jeni thirrur për një nga aferat më të rënda korruptive ndër vite?

Erion Veliaj: Ka nisur mbledhja e këshillit Bashkiak dhe duhet të shkoj. Erdha një orë më parë. Mund të merreni me makinën e Fahri Balliut dhe milionerëve të opozitës.