TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Zv.presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka kërkuar miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit të propozuar nga forca e saj politike për uljen e çmimit të naftës në vend.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhixho e cilësoi situatën si emergjente, duke theksuar se rritja e vazhdueshme e çmimit të karburanteve po rëndon çdo ditë mbi qytetarët. Sipas saj, aktualisht çmimi i naftës ka arritur në rreth 214 lekë për litër.
Deputetja nënvizoi se çdo rritje e çmimit të naftës reflektohet menjëherë në shtrenjtimin e produkteve bazë të shportës, si buka, qumështi, vaji dhe orizi, si dhe në rritjen e kostove të transportit dhe shërbimeve.
Sipas Xhixhos, një nga arsyet kryesore të çmimeve të larta janë taksat, të cilat, sipas saj, përbëjnë rreth 60% të çmimit final të naftës.
Në këtë kuadër, ajo bëri të ditur se Partia e Lirisë ka propozuar:
pezullimin e Taksës së Qarkullimit
pezullimin e Taksës së Karbonit
Këto masa, sipas saj, do të sillnin ulje të menjëhershme të çmimit të naftës dhe lehtësim konkret për qytetarët dhe bizneset.
Në përfundim, Xhixho u bëri thirrje deputetëve që ta mbështesin nismën, duke theksuar se projektligji duhet të kalojë me urgjencë, pasi “situata nuk pret” dhe qytetarët nuk mund të përballojnë më këtë barrë ekonomike.