AKTUALITET, 27 Janar 2025, 14:56

Miratohet projektligji/ Zgjatet afati për investimet strategjike, shtyhet deri në 2026

Miratohet projektligji/ Zgjatet afati për investimet strategjike,
Maxhoranca ka vendosur të shtyjë afatin për investimet strategjike deri në 31 dhjetor të vitit 2026 nga fundi i këtij viti që ishte limiti. Propozimi i bërë nga deputetja Pranvera Resulaj është miratuar në komisionin e veprimtarive. Kjo nismë është marrë si pasojë e interesit të subjekteve për këtë paketë ligjore.

Deri më tani investimet strategjike realizoheshin në sektorë prioritar si energjia, transporti apo turizmi ndërsa  tashmë synim është zgjerimi i investimeve në të gjithë sektorët e ekonomisë. Por me propozimin e ri, investimet strategjike mund të shtrihen edhe në sektorë të tjerë, me kushtin që vlera e investimit të jetë 50 milionë euro ose më shumë.

Po ashtu në ndryshimet ligjore parashikohen mareja e masave për “Konsolidimin e  tokës” me qëllim saktësimin hartografik, ripërshtatjen, riregjistrimin e pasurisë apo verifikimin kadastral.

Që prej hyrjes në fuqi të  ligjit të investimeve strategjike  e deri më tani janë trajtuar 108 projekte, prej të cilave: 48 kanë përfituar status strategjik, 30 projekte janë refuzuar dhe 31 projekte janë në fazë vlerësimi.