AKTUALITET, 11 Qershor 2026, 18:14

Ministri Hoxha: Shqipëria me ritëm të pashembullt në rrugën drejt BE-së, tani nisim mbylljen e kapitujve

Ministri Hoxha: Shqipëria me ritëm të pashembullt në

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi gjatë konferencës me gazetarë se Shqipëria ka përmbushur me sukses piketat e ndërmjetme të procesit të negociatave me Bashkimin Europian, duke e cilësuar këtë si provimin e parë të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit.

Hoxha tha se vendi ynë ishte i pari që negocioi me metodologjinë e re të BE-së, ku përmbushja e piketave të ndërmjetme është kusht për kalimin në fazën pasuese. Sipas tij, 24 kriteret e përkthyera në 92 detyrime konkrete janë përmbushur plotësisht, duke dëshmuar gatishmërinë e Shqipërisë për të vijuar procesin.

“Jemi mirënjohës për të gjithë për mbështetjen e Bashkimit dhe Komisionit Europian, kemi punuar fort për ta bërë realitet këtë. I çelëm kapitujt për 11 muaj, gjë që është e pashembullt. Kyç ishte përmbushja e piketave të ndërmjetme. Ishim vendi i parë që negocionim me metodikën e re, që ka vendosur një kusht të posaçëm, që përmbushja e piketave të ndërmjetme është kusht për fazën e radhës. Ishim shumë të lumtur. Ishte fryti i një pune të jashtëzakonshme. Ky ka qenë provimi i parë fare në këtë proces. Ka treguar nivelin e gatishmërisë se 24 kriteret e përkthyera në 92 hendekë konkretë u plotësuan. Procesi ishte skrupuloz dhe Shqipëria përmbushi piketat e ndërmjetme. Pra, Shqipëria ka dhënë garanci të mjaftueshme që në kapitujt 23 dhe 24 deri më tani, procesi është solid dhe tani nisim me mbylljen e kapitujve. Ne shpresojmë që do të mund të mbajmë këtë ritëm, këtë vrull dhe të vijojmë me fazën tjetër në javët apo muajt që vijnë”, tha Hoxha.