AKTUALITET, 17 Qershor 2026, 15:17

Metani: Finalizimi i vetingut jo fundi i reformës, por fillim i fazës më të rëndësishme të drejtësisë

Metani: Finalizimi i vetingut jo fundi i reformës, por fillim i fazës

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ishte i pranishëm në konferencën për rezultatet e procesit të vettingut në vend.

Metani theksoi se procesi i vettingut ka pasur një ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Sipas Metanit, organet e rivlerësimit kanë kryer një punë të suksesshme duke verifikuar integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe duke larguar nga sistemi ata që nuk përmbushnin standardet e kërkuara. Për këtë arsye, sistemi i drejtësisë konsiderohet sot më i besueshëm dhe më cilësor krahasuar me periudhën para reformës së vitit 2016.

“Anëtarët e organeve të rivlerësimit kanë kryer një punë të jashtëzakonshme duke verifikuar dhe larguar nga sistemi pjesën e pashëndetshme të tij, mbi bazën e standardeve konkrete të vlerësimit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sot sistemi i drejtësisë, edhe për shkak të kësaj pune, është dukshëm më i mirë sesa i periudhës së vitit 2016“, tha ai.
Megjithatë, Metani nënvizoi se përfundimi i vettingut nuk duhet të shihet si fundi i reformës në drejtësi. Përkundrazi, ky moment përfaqëson fillimin e një faze të re, ku institucionet e reja të drejtësisë duhet të marrin përgjegjësinë për të ruajtur dhe garantuar standardet e integritetit, profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve.

“Tanimë, përfundimi i procesit të vetingut kërkon një vlerësim të kujdesshëm dhe reflektimin mbi të ardhmen, pasi shënon kalimin nga faza e funksionimit të mekanizmit të jashtëzakonshëm të vettingut drejt një etape më të re, ku përgjegjësia për garantimin e integritetit dhe profesionalizmit të magjistratëve u takon plotësisht institucioneve të reja të drejtësisë. Kjo është arsyeja përse përfundimi i këtij procesi nuk duhet parë si finalizim apo arritje e rezultateve të duhura dhe të suksesshme të rrugëtimit të reformës në drejtësi. Ky moment shënon fillimin e fazës më të rëndësishme të reformës në drejtësi, e cila ka të bëjë me institucionalizimin e standardeve të integritetit dhe përgjegjshmërisë”, tha Metani.