AKTUALITET, 11 Shkurt 2026, 13:39

Meta, reagon nga burgu: Ramës i thoni të lexojë Kushtetutën, se u bë gazi i botës. Tani, ligje me porosi edhe mbi Reformën në Drejtësi!

Meta, reagon nga burgu: Ramës i thoni të lexojë Kushtetutën,

Ish-presidenti Ilir Meta, njëkohësisht kryetari i Partisë së Lirisë, i cili qëndron i paraburgosur që prej 21 tetorit 2024 me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO, ka denoncuar sot nismën e mazhorancës dhe kreut të saj Edi Rama, për të ndryshuar ligjet që prekin reformën në drejtësi.

Teksa i cilëson “ligje me porosi”, ai këshillon nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook kryeministrin Rama, që “të lexojë Kushtetutën, se u bë gazi i botës”.

Ai shtoi se “Presidenti nuk pezullohet, vetëm nëse vetëpezullohet”.

“Por tani dëgjojmë se do të ketë ligje me porosi edhe mbi vetë Reformën në Drejtësi, ku “meraku” kryesor qenka rreziku potencial i pezullimit të Presidentit të Republikës. I thoni të lexojë Kushtetutën, se u bë gazi i botës”, shkruan Meta mes të tjerash.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

“Tani, ligje me porosi edhe mbi Reformën në Drejtësi!

Kemi qenë dëshmitarë të ligjeve me porosi, të miratuara në shkelje të Kushtetutës, për të favorizuar biznesmenë të caktuar të lidhur ngushtë me Edi Ramën.

Jo vetëm, që i kemi denoncuar publikisht këto akte, por i kemi kallëzuar edhe në SPAK.

Por tani dëgjojmë se do të ketë ligje me porosi edhe mbi vetë Reformën në Drejtësi, ku “meraku” kryesor qenka rreziku potencial i pezullimit të Presidentit të Republikës.

I thoni të lexojë Kushtetutën, se u bë gazi i botës. Presidenti nuk pezullohet, vetëm nëse vendos të vetëpezullojë veten”.