AKTUALITET, 25 Prill 2026, 09:48

MEPJ hap thirrje për aplikime në Misionin në BE dhe Rezervën e Talenteve

MEPJ hap thirrje për aplikime në Misionin në BE dhe Rezervën

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka shpallur dy thirrje të rëndësishme për profesionistët që synojnë të kontribuojnë në forcimin e shërbimit të jashtëm dhe në avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Në kuadër të objektivit strategjik “Shqipëria BE 2030”, ministria fton kandidatët të aplikojnë për pozicione në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian në Bruksel, një strukturë kyçe në përfaqësimin e interesave të vendit në institucionet evropiane.

Gjithashtu, është hapur edhe thirrja për t’u bërë pjesë e Rezervës së Strukturuar të Talenteve, një nismë që synon rritjen e kapaciteteve profesionale të shërbimit të jashtëm përmes përfshirjes së ekspertëve të kualifikuar dhe të angazhuar.

MEPJ thekson se, këto mundësi përbëjnë një hap konkret për të përfshirë burime njerëzore të reja dhe për të forcuar përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Të interesuarit mund të aplikojnë përmes faqes zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku gjenden detajet mbi kriteret dhe procedurat përkatëse.