TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave nga Greqia lidhur me replikat mes tij dhe gazetarit greko-amerikan, John Defterios, gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi, ku kreu i qeverisë shqiptare pasi kuptoi që ai kishte grek, i tha “ju mendoni se jeni pasardhës të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni”.
Sipas Ramës, komenti i tij nuk ka qenë me tone tendencioze, por ka qenë humor dhe se fjala e tij është shkëputur totalisht nga konteksti dhe “është kthyer në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!”.
Ndër të tjera, ai shton se populli grek për të është një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqen një respekt të veçantë.
Rama nuk kurse as ironitë për ata që i cilësoi si “të shqetësuarit dhe të lënduarit” me humorin e tij, duke shtuar që mos t’i kërkojnë në kushdo shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist, t’i duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit.
“Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!”, shkruan Rama.
Rama: Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!
Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!
Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!
Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!