AKTUALITET, 17 Mars 2026, 10:34

Me 79 vota pro në Kuvend, Shqipëria shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit!

Me 79 vota pro në Kuvend, Shqipëria shpall Iranin shtet sponsor

Në Kuvend u miratua me 79 vota pro dhe 1 abstenim pr.rezoluta për shpalljen e Iranit “shtet financues të terrorizmit”, e cila u fut në rend dite pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve. 

Pati vetëm një abstenim nga deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ndërsa prezent nga opozita ka qenë edhe deputeti Erald Kapri.

58 deputetë të opozitës, kryesisht PD, nuk ishin prezent në këtë seancë, pasi e quajtën axhendë personale të kryeministrit Edi Rama dhe fasadë.

Në projektrezolutën e paralajmëruar më herët edhe nga kryeministri Rama, i kërkohet qeverisë shqiptare që menjëherë pas miratimit nga Kuvendi, ekzekutivi të shpallë organizata terroriste Hezbollahun dhe Pasdaranët.

Drafti dënon sulmet kibernetike të Iranit kundrejt institucioneve të Shqipërisë, ku i fundit ishte ndaj Kuvendit dhe u bën thirrje vendeve të tjera demokratike dhe organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.

Por ndërsa kjo rezolutë është cilësuar “nevojë urgjente” nga socialistët, demokratët kanë bojkotuar seancën. 

“Kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit”, është shprehur kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Në vend të parlamentit, opozita ka zgjedhur të jetë sot në terren pranë qytetarëve për t’u mobilizuar për protestën e 22 marsit.

“Opozita refuzon të bëhet pjesë e kësaj fasade parlamentare nesër dhe zgjedh të jetë aty ku duhet të jetë çdo opozitë e përgjegjshme: pranë qytetarëve. Prioriteti ynë këtë javë mbetet takimi me qytetarët në të gjithë vendin dhe mobilizimi për protestën e 22 marsit”, shton ai më tej.
Qëndrimit të PD iu përgjigj kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

“Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni”, tha ai.
Seancat plenare të radhës do të jenë më 2 dhe 9 prill.

Tetë pikat e rezolutës

Dënon me termat më të ashpër veprimet e Qeverisë së Republikës Islamike të Iranit që mbështesin, mundësojnë ose kryejnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës si dhe shpreh solidaritetin e plotë me vendet mike të Gjirit Persik dhe me Turqinë, të cilat janë shënjestuar nga aktiviteti terrorist i sponsorizuar nga Qeveria e Republikës Islamike të Iranit.

Dënon gjithashtu sulmet kibernetike të kryera kundër institucioneve të Republikës së Shqipërisë, përfshirë sulmin e vitit 2022 ndaj infrastrukturës shtetërore dhe përpjekjet e fundit për ndërhyrje në sistemet e Kuvendit të Shqipërisë.
Shpall Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme.

Dënon aktivitetet e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe entiteteve të lidhura me të për rolin e tyre në mbështetjen e organizatave terroriste, forcave të armatosura përfaqësuese dhe operacioneve destabilizuese.
I bën thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që :

– të forcojë masat kombëtare dhe ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin e sponsorizuar nga shtetet dhe kërcënimet kibernetike;

– të bashkëpunojë ngushtë me vendet aleate dhe partnere në parandalimin dhe luftimin e financimit të terrorizmit dhe aktiviteteve të lidhura me strukturat shtetërore iraniane;

– të mbështesë nismat në organizatat ndërkombëtare që synojnë përgjegjshmërinë për aktet e terrorizmit, sulmet kibernetike dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.

– të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste,

– të shpallë gjithashtu Hezbollah si një organizatë terroriste proxy të Republikës Islamike të Iranit, duke iu bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Hollandës dhe një numri shtetesh anëtare të BE-së si dhe vende të tjera, të cilat e kanë ndërmarrë më parë këtë përcaktim.

U bën thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.
Rikonfirmon përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj paqes ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe mbrojtjes së civilëve nga aktet e terrorit.
Udhëzon që kjo Rezolutë t’i përcillet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, qeverive aleate, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë përkatës.

Me 79 vota pro në Kuvend, Shqipëria shpall Iranin shtet sponsor

Me 79 vota pro në Kuvend, Shqipëria shpall Iranin shtet sponsor