AKTUALITET, 30 Prill 2024, 20:24

“Mbledhje me regji”/ Këshilltarja e “Lëvizja Bashkë” demaskon farsën e Veliajt në Këshillin Bashkiak

“Mbledhje me regji”/ Këshilltarja e “Lëvizja

Anëtarja e këshillit bashkiak të Tiranës, e Lëvizja Bashkë, Mirela Ruko, gjatë mbledhjes së sotme ka folur hapur për atë që e cilësoi manovrën e radhës së Kryesisë së Këshillit Bashkisë, pas refuzimit të kërkesave për të pasur si pikë të rendit të ditës; vjedhjet që kanë ndodhur në bashki, ishte mbajtja e mbledhjes online.



Reagimi i plotë: 

ERION VELIAJ NUK KA MË LEGJITIMITET
Manovra e radhës së Kryesisë së Këshillit Bashkisë të Tiranës pas refuzimit të kërkesave për të pasur si pikë të rendit të ditës; vjedhjet që kanë ndodhur në bashki, ishte mbajtja e mbledhjes online.
Vendosa të marr pjesë në këtë mbledhje online, me foton shoqëruese “Erion Veliaj, shko tek shokët!”
Mora fjalën për të theksuar se kjo mbledhje është e papranueshme, duke qenë se kryesia e mori këtë vendim në momentin e fundit, duke na hequr mundësinë për t’i shprehur shqetësimet tona fizikisht në sallë.
Theksova se pjesë e rendit të ditës duhej të ishin abuzimet dhe skemat korruptive të ndodhura në Bashkinë e Tiranës, madje ofrova dhe propozime që kjo pikë të diskutohej edhe në fund të rendit të ditës, duke i dhënë përparësi qytetarëve që presin të marrin ndihmat ekonomike, bonusin e qirasë, ndihmat finaciare në rast nevoje apo edhe për të miratuar përfituesit e programit të rindërtimit.
Drejtuesja e këshillit bashkiak, Romina Kuko, e përdori fjalën time për të justifikuar veten dhe kryesinë, duke anashkaluar propozimet e mia për rend dite. Kryesia “nuk e sheh” elefantin në dhomë, që lidhet me vjedhjen e 30 milionë eurove në Bashkinë Tiranë.
Në një mbledhje të orkestruar me regji dhe teknikë audioje të kontrolluar, vendosa të dal. Pak minuta më vonë, pjesë e farsës u bë edhe Erion Veliaj, duke e kthyer mbledhjen e këshillit bashkiak në mbledhjen e Partisë Socialiste Tiranë. Ai lavdëroi veten dhe bandën e tij! Ky është dhunim i përfaqësuesve të qytetarëve të Tiranës brenda këshillit bashkiak, duke e transformuar këtë mbledhje në një podium propagande për punën e tij dhe të Ramës.
Kjo është dhuna e shumëfishtë e Erion Veliajt ndaj Tiranës i cili e ka humbur legjitimitetin!