AKTUALITET, 29 Mars 2024, 11:57

Nisin punimet për ndërtimin e kampit të refugjatëve në Gjadër ngjitur me banesat, banorët shprehen të frikësuar

Nisin punimet për ndërtimin e kampit të refugjatëve në

Punimet për kampin e refugjatëve në Gjadër kanë nisur të marrin jetë. Prej disa ditësh makineritë janë stacionuar brenda zonës ushtarake në hyrje të fshatit.

BalkanWeb tregon se banorët ende nuk e dinë se çfarë do të ndodhë, edhe pse janë interesuar, serish nuk marrin asnjë përgjigje nga drejtuesit e punimeve. Ndërkohë sipas burimeve të ushtrisë, nuk janë të qarta direktivat në lidhje me godinat ekzistuese nëse mund të ndërhyhet në to, apo do të lihen të paprekura.

Italia do të ndërtojë dy qendra të menaxhimit të emigranteve në Shqipëri, të cilat kur të jenë plotësisht funksionale, do të jenë në gjendje të menaxhojnë rreth 36 mijë persona në vit.

Pas zbarkimit që do të bëhet në Shëngjin, do të vijohet në strukturat e tjera që po ndërtohen në Gjadër. I gjithë perimetri i ushtrisë do të rrethohet nga një mur i lartë afro 7 metra që do të shërbejë për të rritur sigurinë pasi fare pranë kampit ndodhen edhe banesat e fshatit Gjadër dhe Kakarriq.

Banorët shprehen se janë të frikësuar, aq më tepër që nuk janë të sigurt mbi kontrollin që do të ketë mbi personat që do të sillen aty.

Ata deklarojnë se punimet kanë nisur prej katër ditësh, ndërkohë që stafi duket se është i huaj, ndërsa shqiptarët janë të numër më të reduktuar.

“Për mua është një vendim i keq. Edhe bota na ka ndihmuar, por nuk kemi ne fuqi të ndihmojmë të tjerët. Varet sa disiplinë do arrijnë të mbajnë e të mos i lënë të dalin nga kampi”, thotë një prej tyre.

“Punimet kanë nisur ka katër ditë. Po punojnë ekskavatorë e fadromë. Ç’na duhen ne ata? Ne fëmijët tanë i kemi jashtë vendit. Shkuan të jetojnë atje për më mirë, tani të na vijnë ata. Këta që kanë shtëpitë këtu janë të frikësuar.
Kanë ardhur inxhinierë italianë, më shumë janë të huaj”, deklaron një tjetër.