AKTUALITET, 30 Prill 2024, 15:39

Lufta ndaj insekteve në bregdet, rinis në prag të sezonit turistik

Lufta ndaj insekteve në bregdet, rinis në prag të sezonit

Për të garantuar një sezon të qetë dhe për të parandaluar sëmundjet infektive që transmetohen përmes  mushkonjave në vijën bregdetare, lagunat, ligatinat, parqet,  bodrumet në zonat turistike dhe në kryeqytet do t'i nënshtrohen dezinfektimit. Zonat e nxehta janë vlerësuar paraprakisht nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim  me njësitë vendore të  kujdesit shëndetësor dhe  pushtetin vendor.

Procesi do të zgjasë rreth gjashtë muaj, nga maji në tetor. Ndërsa lënda që do të përdoret vepron mbi larvat e katër lloje mushkonjash, mes tyre dhe atë që shërben si vektor transmetimi për sëmundjen e malarjas.

“E kemi pas të pranishme më herët, aktualisht s’kemi  raste,  anafele shkakton malarjan sigurisht që s’kemi raste autoktone, por të importuar, sporadike, por  kur merren masa parandalueshme qoftë me minimizimin e vektorit që e transmeton sigurisht është një e  mirë e domosdoshme. Është një proces ripetitiv, çdo dy javë bëhet një trajtim i ri,  në bazë të kërkesave që vijnë nga njësitë vendore të kujdesit shëndetësor.”, tha Eugena Tomini. Pas një ndërprerje gati tre-vjeçare dezinfektimi u krye vitin e shkuar  për një periudhë të shkurtër kohore në Tiranë  për t'u rikthyer këtë sezon përgjatë të gjithë zonës  bregdetare.