AKTUALITET, 1 Qershor 2026, 15:21

Lubonja i përgjigjet Ramës: Ne nuk kemi qenë të martuar dhe as miq, na bashkonin idetë, por tani ke përqafuar mafien

Lubonja i përgjigjet Ramës: Ne nuk kemi qenë të martuar dhe

Gjatë fjalimit që mbajti në grupin parlamentar për të adresuar revoltën e qytetarëve për projektin e Zvërnecit, kryeministri Rama përmendi disa herë analistin Fatos Lubonja, duke deklaruar se sheh "makthe me mafia" që prej kohës kur është ndarë me të. 

Lubonja i është përgjigjur Ramës, duke deklaruar se dikur i bashkonin idetë si intelektualë që kërkonin ndryshimin, por Rama ka devijuar.

"Është në vazhdën e mënyrës së tij të komunikimit, që atje ku nuk i pëlqen, gjen armikun dhe e sulmon. E pashë pjesën kur flet për mua dhe këtu nuk dua të flas për veten, por shqetësimin që kemi si shqiptarë për mafien. Ai thotë që kur u nda me mua jeton me makthin e mafies. Nuk kam qenë ndonjëherë i bashkuar me Ramën në lidhje martesora apo miqësore, por më kanë bashkuar disa ide që kishim si intelektualë, ide që lidheshin me politikën, për shkak të autoritarizmit të Berishës, ide që lidheshin me kulturën, e me rradhë.

Tani, ai që u nda, jo nga unë, por nga idetë që kishim promovuar sëbashku është Rama, për të përqafuar mafien e ndërtimin dhe mafien e të gjithë pushtetit. Kjo është ndarja. Po bën të kundërtat e ideve që kemi promovuar si intelektualë në atë kohë. E njëjta gjë lidhur me projektin tani.

Unë isha atje dhe thashë që çfarë ka ndodhur në Zvërnec zbërthen pushtetin e Ramës që mbahet në 4 këmbë, oligarkët rreth tij, mafia, paratë e krimit të organizuar që janë bërë pjesë që lidhin oligarkinë dhe shtetin. 

E treta mediat që heshtën për këtë ngjarje, mediat kryesore dhe po të shohësh përmenda tre mediat kryesore, Klan, Top Channel dhe Vizion Plus, që i ka bërë të gjithë investitorë strategjikë. E katërta, ndërkombëtarët e korruptuarit", tha ndër të tjera Lubonja.