AKTUALITET, 20 Prill 2026, 21:23

Lajmi i rremë për infektimin e kryebashkiakut me SIDA, Baton Haxhiu: Poshtërim i komunitetit, duhet të reagojnë institucionet!

Lajmi i rremë për infektimin e kryebashkiakut me SIDA, Baton Haxhiu:

Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka folur për lajmin e rremë që qarkulloi në rrjet dhe disa media, se kryebashkiaku i Gjirokastrës është infektuar me HIV/AIDS dhe se ka shumë qytetarë në këtë qytet që janë infektuar gjithashtu. 

Haxhiu tha se kjo ngjarje dhe rrëfimi që është ndërtuar ka poshtëruar të gjithë komunitetin dhe për këtë arsye duhet të ketë reagim edhe të institucioneve dhe jo vetëm të kryebashkiakut që e mohoi. 

Biseda në studio mes Haxhiut dhe Arben Llangozit, avokatit të kryebashkiakut Flamur Golemi

Baton Haxhiu: Njeriu që e vë zjarrin dhe zjarri merr fushën ose malin është i fundit që burgoset. Shteti dhe njerëzit merren me pasoja, më së pari të shuajnë zjarrin. Përvoja e komuniteteve të vogla, jo te ne por gjithëkund në botë, SIDA-n e kanë trajtuar si sëmundje që të poshtëron. Pastaj e ka namin e keq. Ajo që është e rëndësishme, është si të komunikojmë me qytetarët që janë në panik. Njeriu që ka gënjyer është i fundit që duhet të merremi. Një muaj njerëzit në Gjirokastër kanë filluar të frikësohen. SIDA është ndoshta prej sëmundjeve që është specifike kur mbartet virusi nga njëri te tjetri. Fakti që njerëzit frigohen kanë krijuar panik dhe diçka jo të mirë për asnjë qytet. Ky poshtërim që i ka bërë ai njeri komunitetit, përmes një akuze për një njeri, dënimin do ta marrë. E meriton ai dhe mediat që pa filtër kanë shkaktuar panik. Ju po flisni për njeriun dhe profesionin tuaj, por Gjirokastrës i duhet një komunikim i sinqertë për këtë. Kur deklarohet i zoti i punës nuk mjafton, sepse ka marrë dhenë i gjithë rrëfimi.
Kush merret me njerëzit dhe rrëfimin që e ka ndërtuar komuniteti se i janë nënshtruar një sëmundje të keqe siç ësht SIDA, edhe pse tani ajo është normale dhe e trajtueshme. Ajo që më bën përshtypje, një deklaratë e një njeriu të akuzuar nuk mjafton, i duhet ndihmë edhe nga shteti, ministria e shëndetësisë, spitalet, që të tregojnë të vërtetën se çfarë po ndodh me komunitetin atje. 
Ka njerëz që frikësohen për shkak të padijes. Këto duhet ti kërkojë vetë kryetari i bashkisë në të gjithë institucionet. Pastaj të merreni me njeriun dhe deklaratën e tij të papërgjegjshme se 150 janë të sëmurë nga SIDA. E di çfarë do të thotë për një komunitet që nuk ka informacion? Këto janë gjëra që pastaj bëhen tragjike. 

Arben Llangozi: Nëse i jemi drejtuar me kallëzim penal Prokurorisë, arsyeja ka qenë që të dilet me konkluzion se ka lajm të rremë, të bëhet testim i punonjësve të bashkisë, që janë vetë-ofruar. Njëkohësisht Prokuroria do të dalë në konkluzion, kur kemi lajm të rremë, duhet të provojë se nuk është e vërtetë. 

Baton Haxhiu: Ne i takojmë një gjenerate që e dimë momentin kur u shfaq kjo sëmundje. Për një kohë të gjatë pacientët me këtë sëmundje kanë qenë të izoluar, për shkak të poshtërimit që u janë bërë. Komunitetet e vogla janë në fazën e viteve '70 nuk kanë ndryshuar mentaliteti. Prandaj thashë sëmundje me nam të keq.

Arben Llangozi: Hetimi do të nisë te punonjësit e bashkisë. Ju thoni që është një informaicon që nuk duhet publikuar, por kur bëhet fjalë për interes të gjerë, është vlerësuar që punonjësit të bëjnë analizë.