AKTUALITET, 11 Qershor 2026, 11:51

Kuvendi/ Berisha kërkon mocion me debat me Ramën: Duhet të merremi vetëm me plotësimin e kërkesave të protestuesve!

Kuvendi/ Berisha kërkon mocion me debat me Ramën: Duhet të

Kryedemokrati Sali Berisha kërkoi sot nga foltorja e Kuvendit një mocion me debat urgjent me kryeministrin Edi Rama. Duke folur për protestat qytetare Berisha theksoi se duhet të merremi vetëm me plotësimin e kërkesave absolutisht të drejta të protestuesve.

“Sot, shqiptarët në Shqipëri, shqiptarët në të katër anët e rajonit dhe të botës, kudo që ndodhen, presin nga ky parlament përgjigje të menjëhershme të kërkesave të dhjetëra mijëra dhe qindra mijëra të rinjve dhe të rejave shqiptarë, që prej 12 ditësh janë në një protestë epike, paqësore, me një seri kërkesash absolutisht të drejta, me të cilat nuk synojnë gjë tjetër veçse të shpëtojnë Shqipërinë nga një njeri, që konsideron shtetin dhe vendin si pronë të tij personale.

Të shpëtojnë mjedisin shqiptar të mrekullueshëm nga natyra që po shkatërrohet në të katër anët e tij. Të shpëtojnë trashëgiminë shekullore të kombit që po pëson sulme barbare nga oligarkët, klanet dhe lobingjet e afërta të Edi Ramës. Ndaj dhe t’i lëmë mënjanë, ata janë qytetarë shqiptarë, janë para së gjithash të rinj shqiptarë, të cilët në protestën e tyre, me një gjë janë 100 përqind të sinqertë, duan që ëndrrën ta vendosin në këtë vend”, tha Berisha.

“Duan që me ëndrrën e tyre të bëjnë Shqipërinë. Ndaj dhe të mos merremi me asgjë tjetër, të merremi me plotësimin e kërkesave të tyre. Kërkoj urgjentisht mocion me debat me kreun tuaj. Kërkoj urgjentisht që parlamentit të ketë në axhendë të vetmen çështje, kërkesat që janë absolutisht legjitime pasi të gjitha ligjet që keni ndryshuar janë antikushtetuese.

Dëgjimi i zërit të tyre është domosdoshmëri absolute, përndryshe do të jetë vonë dhe do jetë një gabim i madh historik që bëhet. Ndaj zoti kryetar, ushtro të gjithë autoritetin, distancohuni nga Edi Rama dhe ktheni axhendën e parlamentit”, vijon kreu i PD.