TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Mero Baze ka botuar librin me poezi "Shi me baltë". Ai ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku ka folur për librin, disa prej poezive dhe për Shqipërinë. Mes të tjerash, Baze foli për tranzicionin shqiptar, për të cilin tha se është një kohë kur në vend që "të pastroheshim" e përdorëm lirinë "për t'u bërë pis", siç e tregon nëpërmjet poezisë "Shi me baltë".
"Kjo është drama jonë. Kur kërkonim që liria të na pastronte, të na bënte të lirë dhe me dinjitet, ne e përdorim për të humbur dinjitetin, për t'u bërë pis, për të baltosur njëri tjetrin, për të krijuar një shoqëri, ku po të hapësh televizionet në mbrëmje dhe të jesh i huaj, mendon se këtu ka gjendje lufte. Është një lloj metafore e asaj që prisnim nga liria dhe asaj që kemi marrë", tha Baze.
I pyetur nga Ylli Rakipi se si e mendon të ardhmen e Shqipërisë, Baze u shfaq pesimist.
"E ardhmja prodhohet sot. Ata që e prodhojnë, janë fëmijët tanë, fëmijët e tyre ndaj jam i trishtuar për të ardhmen. Po të merrja vetëm profesionin tonë, kemi armatë të tërë gazetarësh, që nuk lexojnë më, janë njerëz teknikë që mendojnë se duhet të shkruajnë ca fjalë, njerëz që mendojnë se punët do t'i bëjë inteligjenca artificiale. Një brez që rritet pa motivim real për punët e vërteta.
Është si psojë e politikave por edhe edukata për fitimin e shpejtë, jetën e bukur luksoze. Ka shumë dilema për zhvillimin e vendit nëse nuk do të ketë krizë të fortë. I vetmi fat do të ishte futja në një cikël krize të fortë. Ne kemi përjetuar përmbysjen e tranzicioni dhe kemi një dozë realizimi për jetën, mendoj se edukata më e mirë do të jetë një krizë ku brezi i ri do të kuptojë se çfarë do të thotë të jetosh dhe mbijetosh. Është një lloj kasandre por nuk ka mënyrë tjetër se si t'ju flasësh dhe të kuptojnë se jeta nuk është ajo që mendojnë", tha Baze.