AKTUALITET, 9 Qershor 2026, 12:39

Rama: Resortet në Shqipëri nuk bëhen për shumë të pasurit dhe punonjës nga Bangladeshi

Rama: Resortet në Shqipëri nuk bëhen për shumë të

Kryeministri Edi Rama i konsideroi sot gënjeshtra pretendimet se në Shqipëri investitorët e huaj vijnë për të ndërtuar resorte, që janë për shumë të pasurit dhe për të rekrutuar punonjës nga Pakistani, Bangladeshi dhe Filipinet.

Duke folur në Konferencën për Arsimin, Rama theksoi se sapo ka filluar investimi nga kapitali dhe sipërmarrja e huaj për Shqipërinë, pasi para disa vitesh ky interesim ka qenë zero.

“Sistemi ynë i industrisë së turizmit është i ri dhe është ende larg të qenit një sistem që ofron cilësi. Pikërisht për këtë arsye të gjithë të interesuarit që kanë investuar në turizëm kanë nevojë për punonjës të kualifikuar të të gjitha niveleve.

Dua të prek këtu diçka që është bërë një nga barsaletat e ditëve të fundit, lidhur me një zhvillim që ka ngjallur një debat të madh, ideja që investitorët e huaj vijnë në Shqipëri për të ndërtuar resorte, të cilat janë për shumë të pasurit dhe për punonjës nga Pakistani, Bangladeshi, apo nga Filipinet, sepse duan t’i paguajnë shumë pak, është një ide që nuk ka asnjë lidhje me realitetin.

Është gabim i madh që të flitet në këtë mënyrë dhe është një gënjeshtër e madhe që të mendohet në këtë mënyrë. Nuk është se kemi një numër të madh të investitorëve të huaj në turizëm, sapo ka filluar një interesim nga kapitali dhe sipërmarrja e huaj për Shqipërinë që lidhet me suksesin e Shqipërisë në turizëm. Deri para disa vitesh s’kemi pasur asnjë interesim, zero”, tha Rama.

Rama: Ideja që investitorët e huaj vijnë në Shqipëri për të ndërtuar resorte të cilat janë për shumë të pasur dhe për punonjës nga Pakistani, Bangladeshi apo Filipinet, sepse duan t’i paguajnë pak, është një ide që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Është gabim i madh që të flitet në këtë mënyrë dhe është gënjeshtër e madhe që të mendohet kështu.

Ne nuk është se kemi një numër të madh investitorësh të huaj. Sapo ka filluar një interesim nga kapitali dhe sipërmarrja e huaj për Shqipërinë, që lidhet me suksesin e Shqipërisë në turizëm. Deri përpara disa vitesh nuk kemi pasur asnjë interesim nga kapitali i huaj. Shqipëria ishte po kaq e bukur, natyra ishte po kaq e bukur. Interesi i parë që më pas u materializua ishte për Portin e Durrësit. Pas atij investimi ka filluar të ngrihet interesi i kapitalit dhe sipërmarrjes së huaj, sepse m parë nuk kishin besim.

Ideja që kapitali i madh dhe sipërmarrjet e mëdha shkojnë në vende të caktuara për të investuar në turizëm, për t’i shkatërruar dhe për të shfrytëzuar krahun e lirë të punës, është një ide e lindur nga padija totale. Nuk ka prova që kapitali i huaj dhe sipërmarrja prestigjioze të kenë luajtur rol në shkatërrimin e natyrës apo të jenë shkaktarët kryesorë të dëmeve që i janë bërë mjedisit.

Dëmet mjedisore kanë ardhur në radhë të parë nga faza të zhvillimit që kanë qenë të kushtëzuara jo vetëm nga kapitali, por të lidhura me një horizont të mbyllur lidhur me shumë nga temat komplekse të fushës dhe, patjetër, kanë qenë të kushtëzuara nga kostoja e ndërtimit dhe nga çmimi.

Po të shikojmë bregdetin shqiptar sot, ai ka filluar të zhvillohet në Golem. Sot është e paimagjinueshme që dikush, cilido sipërmarrës, të shfaqet në dyert e autoriteteve dhe të propozojë atë zhvillim, sepse është një zhvillim tërësisht i papranueshëm, por i lidhur me një kohë kur mundësitë ishin të kufizuara, kur kapitali ishte modest, dijet të kufizuara dhe, mbi të gjitha, kur aftësia blerëse ishte e ndryshme.

Pavarësisht të metave, gjërat kanë ardhur duke u përmirësuar. Sot problemi kryesor i industrisë nuk është sa t’i paguajë. Pyetja nuk është sa të paguajnë, pyetja është ku t’i gjejë punonjësit përkatës për të gjitha nivelet që ka, dhe zanatin për ta bërë atë punë si duhet”, tha Rama ndër të tjera.