SPORT, 20 Janar 2024, 22:13

Kristian Shpendi i papërmbajtshëm, shënon 3 gola në 7 minuta që në pjesën e parë të ndeshjes

Kristian Shpendi i papërmbajtshëm, shënon 3 gola në 7 minuta

Kristian Shpendi vazhdon vitin e tij magjik me skuadrën e Çezenës në Serinë C. Sulmuesi i talentuar shqiptar, sot ka regjistruar tregolëshin e tij të parë mes profesionistëve në ndeshjen e skuadrës së tij ndaj Pontederës.

Djaloshi ka qenë protagonist absolut në pjesën e parë të takimit kur mes minutave 21 dhe 28, ka tundur tre herë rrjetën e portës kundërshtare, duke i dhënë një avantazh të ndjeshëm ekipit teksa ka shpërdoruar edhe dy mundësi të tjera në fraksionin e parë të lojës që skuadra e tij e mbylli me shifrat 4-0.

Kështu, ai çoi në 13 gola bilancin e tij për momentin në 18 ndeshje të luajtura, duke qenë gjithmonë një nga protagonistët kryesorë të këtij sezoni në Serinë C. Falë këtyre paraqitjeve, sulmuesi i kombëtares Shpresa ka tërhequr vëmendjen e klubeve të njohura nga Seria A dhe B të cilat janë gati të firmosin me të.