AKTUALITET, 30 Mars 2026, 13:04

Konsensusi/ PD-PS me draft të përbashkët për financimin e partive politike, kufizohen dhuratat nga individët dhe bizneset

Konsensusi/ PD-PS me draft të përbashkët për financimin e

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike janë bërë bashkë me një draft për financimin e partive politike, që do të prezantohet nesër në komision për shqyrtim.

TCh ka siguruar një draft të përbashkët të ekspertëve të dy partive të mëdha, sa i përket financimit të partive politike.

Ligji parashikon kufizime të qarta për kontributet financiare që partitë mund të marrin: nga shtetasit shqiptarë maksimumi 200,000 lekë në vit; nga persona fizikë të regjistruar tatimor, maksimumi 500,000 lekë në vit dhe nga çdo person juridik, maksimumi 1,000,000 lekë në vit.

Sipas këtij drafti çdo dhurim mbi 50,000 lekë duhet të bëhet vetëm përmes sistemit bankar.

Drafti do të shpallet publikisht për konsultim dhe më pas do të ndjekë procedurat për miratimin në Kuvend.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

Kuvendi

 

PROJEKT - LIGJ

Nr.____, datë __.__. 2026

 

“PËR FINANCIMIN E PARTIVE POLITIKE”

Në mbështetje të neneve 9, 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti dhe qëllimi

1.         Ky ligj rregullon mënyrën, kushtet e financimit, administrimin, transparencën, raportimin dhe kontrollin për të ardhurat dhe shpenzimet që kryejnë partitë politike në Republikën e Shqipërisë.

2.         Ky ligj ka për qëllim të sigurojë ligjshmërinë, transparencën, dhe përputhshmërinë e aktiviteteve financiare të partive politike me sistemin e demokracisë parlamentare.

Neni 2

Përkufizimet

Në këtë ligj, fjalët dhe shprehjet e mëposhtme kanë këto kuptime:

1.  “Dhurues anonim” është çdo shtetas shqiptar, person fizik ose person juridik që jep një shumë në të holla ose dhurim në natyrë pa zbuluar identitetin e tij të plotë ose pa u regjistruar në regjistrat e partisë politike. 

2.  “Fond publik” është mbështetja financiare për financimin e partive politike i dhënë nga Buxheti i Republikës së Shqiperisë.

3.  “KQZ” është Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

4.  “Kuotë anëtarësie” është shuma e caktuar e të hollave, që paguhet çdo muaj ose çdo vit për anëtarësinë në një parti politike.

5. “Parti politike” është çdo parti politike e regjistruar zyrtarisht nga organi kompetent për regjistrimin e saj, dhë që synon të ndikojë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet dhe përfaqësimit në organet e zgjedhura të pushtetit.

6. “Parti parlamentare” është partia politike që ka fituar të paktën një vend në Kuvend sipas rezultatit me të fundit të zgjedhjeve të përgjithshme.

7.  “Persona fizike te huaj” janë individët që nuk kanë shtetësi shqiptare.

8.  “Shpenzime” janë të gjitha shpenzimet dhe pagesat e bëra për mallra dhe shërbime nga partia politike në përputhje me legjislacionin në fuqi.

9. “Të ardhura” është çdo shumë monetare që partia politike ka pranuar nga persona fizik ose persona juridik, kuota e anëtarësisë dhe Buxheti i shtetit, dhe cdo mënyrë tjetër e ligjshme sipas këtij ligji. Të ardhura përfshin edhe dhurata, subvencione, ose çdo lloj tjetër përfitimi që i jepet partisë politike, qoftë në të holla apo në natyrë, duke përfshirë pagesën e borxheve të partisë politike, dhe përfitimin përmes pronës, të huas, shërbimeve dhe të objekteve për shfrytëzim prej partisë politike. Shërbimet e ofruara një partie politike në mënyrë vullnetare nga individët, duke shpenzuar kohën e tyre dhe pa pagesë nuk do të konsiderohen si të ardhura. Dhuratë cilësohet edhe pranimi i një shërbimi ose vlere monetare ose materiale nga partia politike nën vlerën reale të tregut, vlerësimi i të cilit dhe raportimi për të, rregullohen me akte nënligjore të miratuara nga KQZ, në bazë të të dhënave të institucioneve shtetërore ose të ekspertizës së pavarur.

Neni 3

Parime të përgjithshme

1.                  Financimi i partive politike udhëhiqet nga parimi i ligjshmërisë, transparencës, llogaridhënies dhe integritetit publik.

2.         Të dhënat për burimet financiare e materiale të partive politike dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike.

3.         Rregullat e monitorimit, të mbikëqyrjes dhe të kontrollit të burimeve financiare dhe materiale, respektojnë të drejtën e krijimit dhe organizimit lirisht te partive politike dhe barazinë e partive politike përpara ligjit.

4.         Monitorimi, mbikëqyrja dhe publikimi i të dhënave financiare kryhet duke respektuar parimin e proporcionalitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 4

Përdorimi i burimeve financiare dhe materiale

1.         Burimet financiare dhe materiale të partisë politike përdoren për këto qëllime:

a) financimin e aktiviteteve të rregullta të partisë politike;

b) financimin e degëve të partisë politike;

c) financimin e njësive përkatëse të organizimit të grave dhe të rinjve të partisë politike;

ç) financimin e aktiviteteve vjetore dhe zgjedhore të partisë politike;

d) financimin e aktiviteteve të grupeve parlamentare.

dh) cdo aktivitet tjetër, përfshire edhe veprimtarinë në mediat publike dhe/ose sociale që promovon programin, veprimtarinë dhe objektivat e partisë politike.

2.         Burimet financiare dhe materiale të partisë politike nuk përdoren për përfitime personale.

Neni 5

Ndalimi i ushtrimit të presionit

1.         Ndalohet ushtrimi i çfarëdo forme të presionit politik për personat fizik ose juridik për mbledhjen e dhurimeve për partinë politike apo për shkak se ka dhënë dhurime për partinë politike.

2.         Ndalohet premtimi i privilegjeve apo përfitimeve personale që rrjedhin nga burime shtetërore ose publike në kundërshtim me ligjin për dhuruesit të ndonjë partie politike.

KREU II

BURIMET E FINANCIMIT TË PARTIVE POLITIKE

Neni 6

Burimet financiare dhe materiale

Burimet financiare dhe materiale të partive politike përbëhen nga:

a) kuotat e anëtarësisë;

b) dhurimet në vlerë monetare, në natyrë ose shërbime;

c) financimi nga Buxheti i Shtetit;

ç) huatë ose kreditë të marra në përputhje me ligjin;

d) të ardhura të tjera të krijuara nga partia në mënyrë të ligjshme dhe sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 7

Ndalimi i ndihmave financiare dhe materiale

1.  Për partitë politike ndalohet ndihma financiare dhe materiale nga:          

a) institucionet qeveritare ose joqeveritare të huaj, të bërë drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë qoftë edhe nëpërmjet individëve, fondacioneve apo subjekte të tjera të lidhura me to;

b) personat juridikë të huaj, përfshirë edhe rastin kur kanë krijuar degë apo përfaqësi në Republikën e Shqipërisë;

c)  persona fizikë të huaj  përshirë edhe rastin kur janë ortakë ose aksionerë të shoqërive tregtare të krijuara në Shqipëri,

ç) dhuruesit anonim;

d) persona juridikë qe janë subjekte investues strategjikë ose që ushtrojnë veprimtarinë e lojërave të fatit dhe kazinove, dhe fushën e kriptomonedhave;

dh)  entet dhe shoqëritë tregtare vendase publike ose me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror.

e) personat juridikë që kanë,  kontrata koncesioni, kontrata të partneritet publik privat apo shoqëri që kanë kontrata publike për ofrimin e mallrave dhe kryerjen e shërbimeve me institucionet e Republikës së Shqipërisë për 3 vite pas përfundimit të marrëdhënies kontraktuale.

ë) personat juridikë, kur ortaku që zotëron më shumë se gjysmën e kuotave të kapitalit ka përfituar, qoftë drejtpërdrejt qoftë nëpërmjet shoqërive të tjera,  kontrata koncesioni, kontrata të partneritet publik privat apo shoqëri që kanë kontrata publike për ofrimin e mallrave dhe kryerjen e shërbimeve me institucionet e Republikës së Shqipërisë për 3 vite pas përfundimit të marrëdhënies kontraktuale;

f) organizatat joqeveritare, organizatat humanitare, bashkësitë e organizatat fetare dhe organizatat sindikale;

g) personat fizik ose personat juridikë të cilët janë debitorë ndaj institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe për të cilët është filluar procedurë ekzekutimi të detyrueshëm nga shërbimi i përmbarimit;

gj) organizatat e të rinjve, fondacionet, institutet apo organe të ngjashme që janë të krijuara nga partitë apo që kanë lidhje me partitë politike ose që kryejnë aktivitete funksionale për partitë politike.

h) shtetas të dënuar për vepra penale në fushën e korrupsionit, pastrimit të parave, krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike ose krime zgjedhore.

2.   Partive politike iu lejohen dhuratat dhe ndihmat që vijnë nga parti, bashkime ndërkombëtare partish apo nga organizata dhe fondacione politike të vendeve të tjera për realizimin e veprimtarisë së tyre të ligjshme apo për qëllime të tilla si rritja e bashkëpunimit me organizmat simotra, promovimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut, nxitjen e barazisë gjinore, demokratizimin, etj.

3.   KQZ, në bashkëpunimin me institucionet respektive që kanë kompetenca në fushën e zbatimit të këtij neni, përcakton rregullat e zbatimit të ndalimit dhe/ose kufizimeve të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni.

Neni 8

Kufizime në përdorimin e pasurisë

1.         Partive politike, vetë ose nëpërmjet të tretëve, iu ndalohet krijimi i personave juridikë tregtarë dhe jotregtarë që ushtrojnë veprimtari me qëllim fitimi.

2.         Partitë politike mund t’i përdorin pasuritë dhe mjediset e tyre për veprimtari ekonomiko-shoqërore të karakterit të botimeve, shtypshkrimeve, shërbimeve apo dhënies me qera, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 9

Modalitetet për financimin e partisë politike

1.         Të gjitha të ardhurat financiare dhe materiale të partive politike regjistrohen në regjistrat e partive politike. Të ardhurat e realizuara në formë të shërbimeve regjistrohen kurdoherë me kundërvlerën monetare të shërbimit.

2.         Për çdo dhurim të mallrave ose shërbimeve, duke përfshirë dhurimet në natyrë personat fizikë nënshkruajnë një deklarate të dhënies së kontributit që tregon vlerën e tregut të mallit ose shërbimit, kurse personat juridik lëshojnë një faturë që specifikon vlerën e tregut të çdo malli apo shërbimi të dhuruar subjektit politik. Përmbajtja e deklaratës përcaktohet me akt normativ të KQZ.

3.         Si rregull partitë politike duhet të kenë një llogari të vetme në një bankë dhe kur nuk është e mundur mund të hapin llogari në çdo bankë tjetër të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë përmes të cilave kryejnë të gjitha transaksionet.

4.         Të ardhurat dhe shpenzimet financiare të lejuara sipas dispozitave të këtij ligji, përveç kuotave të anëtarësisë, realizohen nëpërmjet transaksioneve bankare. Të ardhurat nga kuotat e anëtarësisë, të cilat realizohen në para cash derdhen në llogarinë bankare të partisë politike jo më vonë se 5 ditë nga dita e pranimit të tyre.

5.         Çdo dhurim në të holla me vlerë mbi 50 000 lekë duhet të bëhet vetëm nëpërmjet sistemit bankar.

6.         Në rast se një parti politike, pa vullnetin për pranimin e saj, i janë vënë në dispozicion  mjete financiare në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, duhet që brenda 5 ditëve nga data e depozitimit të njoftojë KQZ-në dhe t’i derdhë ato në buxhetin e shtetit.

Neni 10

Kontributet për subjektet politike

1.         Partia politike lejohet të marrë dhurata nga:

a)  shtetasi shqiptar në vlerë jo më shumë se 200 000 lekë për një vit kalendarik.

b) personi fizik të rregjistruar sipas legjislacionit tatimor jo më shumë se 500 000 lekë për një vit kalendarik;

c)  personi juridik në vlerë jo më shumë se 1 000 000 lekë për një vit kalendarik.

2.         Në çastin e dhurimit sipas pikës 1 të këtij neni, dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku deklaron se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në nenin 7 të këtij ligji dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Forma dhe përmbajtja e deklaratës miratohet me akt normativ të KQZ dhe është e detyrueshme për t’u nënshkruar në çdo rast dhurimi.

Neni 11

Fondi Publik për mbështetjen e partive politike

1.         Çdo vit në Buxhetin e Shtetit përcaktohet një Fond Publik që shërben si ndihmë financiare publike për kryerjen e veprimtarisë vjetore të partive politike. Fondi Publik i parashikuar në Buxhetin e Shtetit në vitet jozgjedhore nuk mund të jetë më e vogël se fondi i parashikuar në vitin paraardhës.

2.         Ky Fond ndahet sipas rregullave të mëposhtme:

a) 70 për qind, sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit të përgjithshme. Çdo parti parlamentare përfiton ndihmë financiare në përputhje me numrin e deputetëve që ka fituar në në datën e zgjedhjeve bazë të sistemit zgjedhor të parashikuar në Kodin Zgjedhor;

b) 20 për qind, në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare dhe partive që kanë marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit të përgjithshme.

c) 10 për qind, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit të përgjithshme dhe kanë fituar mbi 1 për qind të votave në shkallë vendi.

Pjesa që mbetet pa u shpërndarë nga 10-përqindëshi i shtohet fondit prej 70 për qind dhe u ndahet partive parlamentare që rezultojnë të tilla në datën e zgjedhjeve.

3.         Masa konkrete e Fondit Publik që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare vjetore, në përputhje me këtë ligj, përcaktohet me akt të KQZ. Vendimi i KQZ i njoftohet partive politike përfituese dhe Ministrisë së Financave dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

4.         Ndihma financiare vjetore, në çdo rast, jepet vetëm nëse partia politike ka dorëzuar raportin financiar vjetor të vitit paraardhës, sipas rregullave të përcaktuara nga KQZ. Mosdorëzimi i këtij raporti përbën shkak për përjashtimin e partisë politike nga përfitimi i ndihmës financiare vjetore.

5.         Vendimi i KQZ, që përcakton masën konkrete të Fondit Publik për çdo parti politike, mund të ankimohet në gjykatë, në përputhje me rregullat për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative.

6.         Buxheti i shtetit, cdo vit, përcakton edhe një grant financiar për partitë politikë në masën 5 %  të Fondit Publik, i cili i shpërndahet partive politike që përfitojnë sipas pikës 2 të këtij neni, në bazë të realizimit të aktiviteteve dhe veprimtarisë në nxitjen e barazisë gjinore dhe rolit të të rinjve në politikë. Kriteret e vlerësimit të aktiviteteve dhe veprimtarive sipas kësaj pike, metodologjia mënyra e caktimit dhe shpërndarjes së grantit financiar përcaktohet me akt normativ të KQZ.

7.         Këshilli i Ministrave indekson cdo dy vjet shumën e Fondit Publik. Niveli i indeksimit nuk kalon një pikë përqindjeje mbi nivelin e targetuar të inflacionit nga Banka e Shqipërisë.

8.         Kuvendi i Shqipërisë rishikon periodikisht shumën e Fondit Publik çdo 4 vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 12

Përgjegjësia për shfrytëzimin e mjeteve financiare dhe materiale

1.         Partia politike cakton një person përgjegjës për financat i cili ka përgjegjësinë:

a) për regjistrimin e të ardhurave të çfarëdo forme;

b) për shpenzimet e kryera;

c) për dorëzimin e Raportit Vjetor Financiar;

ç) për detyrimet tjera lidhur me financimin e partisë politike.

2.         Personi përgjegjës për financat është personi i ngarkuar me ligj për kryerjen e të gjitha veprimeve me karakter financiar të partisë politike, mban përgjegjësi për saktësinë e të dhënave që depozitohen në KQZ, si dhe përfaqëson partinë politike për financimin në raport me KQZ dhe institucionet e tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi. 

KREU III

RAPORTIMI NGA PARTITË POLITIKE

Neni 13

Raportimi financiar

1.         Partitë politike detyrohen të paraqesin në KQZ Raportin Vjetor të Financimit jo më vonë se data 31 mars për vitin parardhës, në mënyrën e parashikuar me vendim të KQZ.

2.         Raporti Vjetor i Financimit përmban informacion të hollësishëm për:

a) burimet e financimit të cdo lloji në bazë të formatit të standardizuar, të miratuar nga KQZ;

b) shpenzimet në bazë të formatit të standardizuar, të miratuar nga KQZ;

c) subjektet e lidhura, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me partitë politike apo që kontrollohen prej tyre, të cilat deklarohen nga vetë partia politike.

3.         Dorëzimi i Raportit Vjetor të Financimit bëhet nga personi përgjegjës për financat në partinë politike ose personi i përcaktuar sipas statutit të partisë politike, brenda afatit të përcaktuar nga pika 1 e këtij neni.

4.         Gjatë vitit zgjedhor, raportet financiare të parties politike dorëzohen së bashku me raportin financiar të fushatës zgjedhore.

5.         Raporti Vjetor i Financimit, raporti i ekspertëve kontabël të licencuar, raporti financiar i fushatës zgjedhore dhe raporti i KQZ publikohen në faqen zyrtare të internetit të KQZ jo më vonë se 30 ditë nga koha e dorëzimit të tyre prej partisë politike.

Neni 14

Tatimi i të ardhurave të subjekteve politike

1.         Të ardhurat nga kuota e anëtarësisë së partisë politike nuk tatohen.

2.         Të ardhurat tjera që partia politike krijon sipas ligjit janë të tatueshme sipas legjislacionit në fuqi. 

Neni 15

Kontrolli i brendshëm

1.         Partitë politike janë të detyruara të përcaktojnë në statut ushtrimin e kontrollit të brendshëm financiar të tyre nëpërmjet strukturave të përcaktuara në të.

2.         Partitë politike garantojnë të drejtën e anëtarëve për t’u informuar për të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e partisë politike dhe për përgjegjësinë e organit përgjegjës për administrimin financiar të saj.

Neni 16

Mospagimi i detyrimeve

1.         Në rastet kur një parti politike nuk paguan detyrimet, të tilla si gjobat e vendosura nga KQZ-ja, detyrimet tatimore, apo detyrimet që burojnë nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, atëherë shuma përkatëse i zbritet nga buxheti i që i ndahet partisë nga Fondi Publik.

2.         Në rast se shuma e detyrimeve të partisë politike është më e madhe sesa buxheti të cilin e përfiton nga Fondi Publik, partia politike nuk mund të merr pjesë në zgjedhje pa paguar detyrimin përkatës.

Neni 17

Kontrolli financiar

1.         Raportet Vjetore të Financimit të depozituara nga partitë politike auditohen në përputhje me standardet e aplikueshme sipas legjislacionit në fuqi, nga ekspertë kontabël të licencuar me eksperiencë, që e ushtrojnë këtë profesion për më shumë se 3 vite.

2.         Eksperti kontabël nuk mund të auditojë të njëjtën parti politike për dy vjet radhazi.

3.         KQZ cakton me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar nga lista sipas pikës 1 të këtij neni  për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara gjatë vitit kalendarik nga partia politike që ka paraqitur Raportin Vjetor të Financimit. Caktimi bëhet në periudhën 1-7 prill të çdo viti kalendarik. Raporti i auditimit paraqitet në KQZ brenda afatit të përcaktuar prej tij në vendimin e caktimit të ekspertëve.

4.         Partitë politike bashkëpunojnë me ekspertin kontabël të caktuar nga KQZ dhe vendosin në dispozicion tij pa vonesë çdo informacion, dokument apo të dhënë, që kanë të bëjnë me të ardhurat dhe shpenzimet e kryera gjatë vitit kalendarik, sipas këtij ligji.

5.         KQZ-ja ka të drejtën të verifikojë drejtpërdrejt, me kërkesë ose kryesisht,  të ardhurat dhe shpenzimet për çdo parti politike, raportin e auditimit sipas pikës 3 të këtij neni, si dhe çdo informacion tjetër për financimin për të cilin vihet në dijeni. KQZ-ja ka të drejtë të kërkojë të dhëna, dokumente apo informacion nga partia politike apo persona të tretë, të cilët duhet t’i përgjigjen kërkesës së KQZ-së brenda 15 ditëve nga marrja e saj. Mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i dokumenteve, vonesat ose sjellja e papërshtatshme në procesin e verifikimit të kryer nga KQZ-ja kallëzohet në prokurori si vepër penale, sipas nenit 248 të Kodit Penal, si dhe ndëshkohet administrativisht në përputhje me këtë ligj.

6.         KQZ publikon raportet e auditimit për partitë politike brenda 30 ditëve nga koha e paraqitjes së raportit ose, sipas rastit, nga koha e mbylljes së procedurës së verifikimit.

7.         Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në këtë ligj nga partitë politike apo dhuruesit, në rast se nuk përbën vepër penale, është kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas parashikimeve të këtij ligji.

8.         KQZ kur ka dyshime për parregullsi në aktivitetin e financimit të partive politike i dërgon kopje të Raportit të Auditimit sipas rastit, prokurorisë, administratës qëndrore të tatim- taksave ose Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. 

9.         Raporti vjetor që KQZ paraqet në Kuvend në fillim të cdo viti kalendarik përmban një pjesë të posacme për financimin e partive politike në vitin paraardhës dhe përfshin gjetjet nga procesi i auditimit, si dhe rekomandimet që KQZ paraqet me qëllim të përmirësimit të mekanizmave për financimin e partive, veçanërisht në aspekt të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.

10.       Shpenzimet e nevojshme për auditimin e partive politike mbulohen nga KQZ. 

11.       Rregullat e hollësishme për realizimin e procesit të auditimit përcaktohen me akt normativ të KQZ-së.

Neni 18

Publikimi i të dhënave nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend

Cdo parti politike që përfaqësohet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë ka këto detyrime:

a)  të publikojë në faqen zyrtare të saj në internet brenda muajit dhjetor të cdo viti të gjitha shpenzimet që kreu gjatë vitit kalendarik;

b) të bëjë publike në faqen zyrtare të saj në ineternet brenda muajit dhjetor të cdo viti listën e dhuruesve që përfshinë emrin dhe mbiemrin, në rast të personit fizik apo emrin e personit juridik si dhe llojin, shumën dhe datën e kontributit.

c) të mbajë të publikuar së paku tre vite rresht në faqen zyrtare të saj në internet raportin financiar vjetor.

KREU IV

STRUKTURA PËRGJEGJËSË

Neni 19

Organi përgjegjës për financimin e partive politike

1.         KQZ është organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit vjetor të partive, sipas rregullave të këtij ligji.

2.         KQZ, në bazë dhe për zbatimin e këtij ligji, ka këto kompetenca:

a) harton dhe miraton rregullat për raportimin e financimit, për monitorimin, mbikëqyrjen dhe auditimin financiar të partive politike, si dhe për formatet e standardizuara për raportimin financiar vjetor;

b) miraton formatin e regjistrit të posaçëm të fondeve jopublike të partive politike, si dhe formatin për formën dhe përmbajtjen e deklaratës së dhurimit të fondeve jopublike;

c) mban listën e ekspertëve kontabël të licencuar dhe i cakton me short ata për auditimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve të partive politike;

ç) monitoron, mbikëqyr dhe auditon financimin e partive politike, nëpërmjet kontrollit të

dokumentacionit financiar e të llogarive kontabël të partive politike, të subjekteve të lidhura, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me partitë politike apo që ndodhen nën kontrollin e tyre;

d) vendos sanksione kur konstaton shkelje të dispozitave të këtij ligji;

dh) harton programe ndërgjegjësuese dhe organizon trajnime për financimin e partive politike dhe të subjekteve të tjera të përfshira në këtë proces, sipas dispozitave të këtij ligji;

e) përcakton masën e Fondit Publik që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare vjetore, në përputhje me këtë ligj;

ë) nxjerr akte nënligjore në bazë dhe për zbatimin e dispozitave të këtij ligji.

3.         Në KQZ ngrihet dhe funksionon struktura përgjegjesë për financimin, monitorimin dhe kontrollin e financimit të partive politike.

KREU V

MBËSHTETJA MATERIALE NGA SHTETI

Neni 20

Masat lehtësuese

1.         Shteti lehtëson veprimtarinë e partive politike. Lehtësimi i veprimtarisë së partive politike përfshin fushat si vijon:

a) partitë kanë të drejtë të përdorin pa shpërblim mjetet e informimit masiv publik për zgjedhjet apo referendume, në përputhje me Kodin Zgjedhor.

b) partitë parlamentare pajisen pa shpërblim, me ndërtesë për selinë e tyre qendrore dhe zyra vendore, në vende të përshtashme dhe të aksesueshme për publikun, në afërsi të ndërtesave të institucioneve qendrore ose vendore. Këtë të drejtë e ka edhe partia politike, mesatarja e votave të së cilës në tri zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë mbi 1 për qind në shkallë vendi.

c) nëse partia politike është pajisur me ndërtesë me kontratë huapërdorjeje, sipas këtij ligji, por nuk plotëson kushtet e parashikuara në shkronjën “b” të kësaj pike atëherë ka të drejtën e lidhjes së kontratës së qirasë për ndërtesën, për ta përdorur vetëm për selinë apo zyrat e saj vendore. Rregulla më të hollësishme përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit përgjegjës për pronat shtetërore.

2.         Kërkesa për pajisje me zyra, sipas pikës 1, shkronja “b” të këtij neni, i paraqitet Ministrit përgjegjës për pronat shtetërore në administrim të pushtetit qendror, dhe kryetarit të bashkisë për pronat që janë pronësi ose në përdorim të pushtetit vendor, të cilët marrin të gjitha masat e nevojshme për pajisjen e partisë parlamentare me ndërtesë.

3.         Kur gjenden zyra të lira në ndërtesa, sipas rastit, Ministri përgjegjës për pronat shtetërore ose kryetari i bashkisë lidh kontratën e huapërdorjes sipas Kodit Civil, me partinë politike sipas pikës 1 të këtij neni.

4.                  Kur nuk gjenden zyra të lira në ndërtesa, shteti merr përsipër pagesën e qirasë së selisë qendrore dhe të zyrave vendore të partisë politike. Pagimi i qirasë, sipas këtij neni, për partitë politike zgjat për aq kohë sa partia politike plotëson kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni.

5.          Rregulla më të hollësishme për llojin e dokumenteve, për procedurën administrative të shqyrtimit të kërkesës, mënyrën e pagesës, numrin e ndërtesave për zyrat vendore dhe për kufijtë

maksimalë të qirasë pagesa e së cilës përballohet nga shteti përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave.

KREU VI

SANKSIONE ADMINISTRATIVE

Neni 21

Masa administrative

1.         Shkelja e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë si më poshtë:

a) Mosmbajtja e regjistrit të të ardhurave financiare dhe materiale nga partia politike, sipas nenit 9, pika 1 nga 100 000 deri në 300 000 lekë.

b)  Shkelja e detyrimit  të nenit 10, pika 1, shkronja “a” nga shtetasi shqiptar dënohet nga 50 000 deri në 100 000 lekë.

c) Shkelja e detyrimit të nenit 10, pika 1, shkronja ”b” nga personi fizik i rregjistruuar sipas legjislacionit tatimor dënohet nga 100 000 në 200 000 lekë.

ç) Shkelja e detyrimit të nenit 10,  pika 1, shkronja ”c” nga personi juridik dënohet nga 250 000  në 400 000 lekë.

d)  Shkelja e detyrimit sipas pikës 4 të nenit 17 për bashkëpunim me ekspertin kontabël të licencuar të caktuar nga KQZ, nga ana e partisë politike, dënohet nga 800 000 deri në 1 500 000 lekë.

dh) Shkelja e afatit të dorëzimit të raportit financiar në kohën e duhur apo paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara të miratuara nga KQZ, dënohet nga 100 000 deri në 300 000 lekë.

e) Shkelja e detyrimit të nenit 18 për publikimin e të dhënave nga partia politike e përfaqësuar ne Kuvend dënohet nga 100 000 deri në 300 000 lekë dhe në rast përsëritje të shkeljes dyfishim të masës së ndërshkimit.

ë) Refuzimi për të bërë transparent burimet e financimit të partisë politike apo për të lejuar ushtrimin e kontrollit nga ana e ekspertit kontabël të licencuar ose të KQZ, dënohet nga 2 000 000 deri në 5 000 000 lekë, dhe mund të vendoset edhe pezullimi deri në 5 vjet të financimit publik për partinë politike.

f) Shkelja e nenit 9 pika 5, për pranimin i fondeve jopublike, me vlerë më të madhe se 50 000 lekë dhe kur transaksioni nuk është kryer nëpërmjet llogarisë bankare dënohet në masën 30 për qind të shumës së dhuruar.

g) Shkelja e dispozitave për financimin e partive politike nga ana e personit përgjegjës për financat në partinë politike dënohet nga 100  000 deri në 300 000 lekë.

gj)  Pranimi nga partia politike e dhumrimeve në natyre pa nënshkruar deklaratën e dhënies së kontributit sipas nenit 9 pika 2  të këtij ligji dhe kur janë pranuar nga partia politike dënohet me shumën e 50% të vlerës së tregut të dhurimit në natyrë.

h) Shkelja e nenit 5 për ushtrimin e presionit të cfarëdollojshëm dhënien ose pengimin e dhurimeve për partinë politike ose bërja e premtimeve për favorizime në këmbim të mbështetjes financiare ose materiale për partinë politikë, krahas ndjekjes penale,  dënohet nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë.

2.         Fondet jopublike të përfituara nga partia politike, kur identiteti i dhuruesit nuk njihet apo nuk është i përcaktuar qartë, kalojnë për llogari të KQZ-së.

1.                  Pavarësisht ndërshkimit me gjobë që vendoset, partia politike që nuk dorëzon për dy vite radhazi Raportin Vjetor të Financimit, sipas mënyrës dhe afatit të përcaktuar në këtë ligj, përjashtohet nga e drejta për të marrë pjesë në zgjedhjet më të afërta dhe zgjedhjet në vijim.

4.         Gjobat vendosen nga KQZ-ja.

 

Neni 22

Parimet në vendosjen e gjobës

Masa e gjobës përcaktohet në varësi nga rrethanat e mëposhtme:

a) rreziku që përbën shkelja e kryer;

b) kohëzgjatja dhe rrethi i veprimeve që kanë çuar në kryerjen e shkeljes;

c) fakti nëse ka pasur përpjekje për fshehjen e shkeljes nga ana partia politike;

ç) veprimet e partisë politike pas zbulimit të shkeljes;

d) fakti nëse shkelja është përsëritur;

dh) fakti nëse shkelja është kryer në bashkëpunim.

Neni 23

Ankimi ndaj vendimit dhe ekzekutimi i gjobës

1.         Kundër vendimit për vendosjen e gjobës, partia politike e  ndërshkuar me gjobë mund të paraqesë ankim në gjykatën kompetente sipas legjislacionit në fuqi.

2.         Ekzekutimi i gjobave në zbatim të këtij ligji bëhet sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.

3.         Gjobat arkëtohen në buxhetin e shtetit.

KREU VII

DISPOZITA TE FUNDIT

Neni 24

Përdorimi i teknologjisë së informacionit

1.         KQZ mundëson që raportimi financiar i partive politike, sipas këtij ligji, të paraqitet ne KQZ nëpërmjet platformës elektronike.

2.         KQZ nëpërmjet platformës elektronike mundëson pasqyrimin në kohë reale të cdo transaksioni të të ardhurave që përfiton partia politike. Në momentin kur pasqyrimi në kohë reale  të ardhurave bëhet nëpërmjet platformës elektonike, detyrimi i partisë politike për raportim në KQZ dhe publikim në faqen e internetit pushon së ekzistuari.

3.         Për realizimin e detyrimeve të përcaktuara në këtë nen KQZ miraton aktet e nevojshme nënligjore.

4.         Për realizimin e detyrimeve të përcaktuar në këtë ligj, KQZ- së i mundësohet akses në database të institucioneve të tjera për informacion dhe të dhëna në lidhje me zbatimin e këtij ligji.

Neni 25

Aktet nënligjore

1.         Ngarkohet Këshilli i Ministrave, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktin nënligjor të parashikuar në nenin 20, pika 5 të këtij ligji.

2.         Ngarkohet KQZ, brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të nenit  7, 9, 10, 11, 13, 17 dhe neni 19 të këtij ligji.

Neni 26

Shfuqizime

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohen nenet 15/1, 15/2, 16, 17, 18, 19, 21, 22, 22/1, 23, 23/1, 23/2, 23/3, 23/4 dhe 24 të ligjit nr. 8580, date 17.02.2000 “Për partitë politike”, të ndryshuar.

Neni 27

Hyrja në fuqi

Ky ligji hyn në fuqi 3 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare, me përjashtim të pikës 6 të nenit 11 që hyn në fuqi në 1 janar 2027. 

Kryetari

 

Niko Peleshi