AKTUALITET, 21 Mars 2026, 10:18

Klosi: Mandati i katërt kërkon më shumë përgjegjësi. PS ruan bërthamën elektorale, Opozita me humbje

Klosi: Mandati i katërt kërkon më shumë

Sekretari i Përgjithshëm të Partisë Socialiste,  Blendi Klosi theksoi se fitorja për të katërtën herë rradhazi e Partisë Socialiste është një përgjegjësi e madhe që duhet të përkthehet në një forcë më të fortë dhe të organizuar.

Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së që po mbahet në Durrës, ai e cilësoi rezultatin me PD-në në zgjedhjet e 11 majit si një diferencë të thellë besimi me kundërshtarin, duke shtuar se nuk është thjesht në rezultat matematikor.

“Partia duhet të jetë më e fortë, e qartë me e organizuar dhe më kërkuese karshi vetes së saj. PS ka marrë fitore të plotë, jo të rastësishme dhe as të ngushtë e të përkohshme. Rezultati kombëtar i vitit 2025, 355 mijë për PS nuk është vetëm një rezultat matematikor, por kontratë e rinovuar me shqiptarët. Diferenca me kundërshtarin tonë është diferencë besimi, serioziteti në drejtimin e Shqipërisë. PS është forca më e qëndrueshme në vend, që di ta kthejë riorganizimin në votë dhe në mandat të fortë qeverisës. Fakti që diaspora i jep 61.1% të votës jashtë vendit e bën këtë fitore më të fortë politikisht. Brenda vendit, PS rritet.”, tha ai.

Sipas tij, fitorja nuk ishte lokale por e shtrirë kombëtare.

“Fitorja nuk është lokale, por ka shtrirje të madhe kombëtare. 5 qarqe kalojnë mbi 65 përqind. Fieri del si qarku më i fortë, por shumica e qarqeve janë me mesazh të qartë stabiliteti politik. Kjo do të thotë se PS është forca që organizon ritmin politik dhe pritshmërinë qytetare. Fitorja nuk ka ardhur vetëm në qarqe tradicionale, por ka shtrirje në të gjithë territorin. “, shtoi ai.

Duke përmendur edhe diasporën, ai tha se ka ardhur koha për të rivlerësim total duke integruar edhe teknologjinë. Ai tha se është e pafalshme që PS të mos ketë një strukturë që të absorvojë më tepër terrenin.

“Ka ardhur koha për rivlerësim total ku nëpërmjet Ai, të bashkojmë punën e administratës të kemi njohje më të plotë të listave. E pafalshme, e kemi pasur këtë kur kemi qenë në opozitë. Kemi akoma një pjesë të listës që është e panjohur me strukturat tona. Sot që kemi teknologji duhet të kemi një strukturë që të absorvojë shumë më tepër njohjen e terrenit. Diaspora është pjesë organike e rezultatit tonë politik”, shtoi ai.