AKTUALITET, 26 Mars 2026, 21:19

Klodiana Lala: Shoqëria shqiptare nuk është e korruptuar, ka shumë njerëz të ndershëm!

Klodiana Lala: Shoqëria shqiptare nuk është e korruptuar, ka

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Ta Paekspozuarit” në MCN TV, nuk ra dakord me idenë e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, se në Shqipëri korrupsioni është i pranuar, ndaj kërkon kohë të luftohet dhe kjo nuk bëhet vetëm me ligje të mira.

Lala tha se shoqëria shqiptare nuk është e korruptuar, por heshtja ndaj korrupsionit, e krijon këtë perceptim, sipas saj të gabuar.

“Nuk ndaj qëndrimin që shoqëria shqiptare është e korruptuar. As nuk besoj se një njeri është i detyruar të korruptohet për shkak të një halli personal. Mendoj se një pjesë e shoqërisë e relativizon korrupsionin, nuk e denoncon. Mund ta shohë, thotë nuk është problemi im. Relativizimi ose qëndrimi në heshtje na bën ndoshta të dukemi si shumicë e korruptuar. Por unë besoj se pjesa dërrmuese e shoqërisë nuk është e korruptuar. Has në përditshmëri plot njerëz, që e fitojnë jetesën e vet me punë të ndershme.

A mundet SPAK-u ta luftojë korrupsionin? SPAK i vetëm nuk e lufton dot korrupsionin, pasi duhen denoncime. Do të thotë nëse unë gjendem përpara një rasti korrupsioni, nuk ka si ta dijë SPAK, duhet ta denoncoj. Nuk ka denoncime. Njerëzit e relativizojnë, por kjo nuk e bën shoqërinë e korruptuar", tha Lala.