TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Këshilli i Lartë Gjyqësor bëri sot me dije se, deri në orën 20:30 në adresë të tij nuk ka mbërritur asnjë dokument zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me njoftimin e sotëm për miratimin e rezultateve të verifikimit të thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit për gjyqtaren në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka (Shpata, Maneku).
Sipas njoftimit, sapo shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme të mbërrijë zyrtarisht, ajo do të administrohet nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës pranë KLGJ-së dhe më pas do të ndiqet procedura përkatëse ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot se ka përfunduar verifikimet brenda dhe jashtë vendit për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka.
Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se ka miratuar rezultatet e procesit të verifikimit dhe e ka përcjellë vendimin në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Prokuroria e Përgjithshme nisi verifikimin për gjyqtaren Irena Gjoka pas një shkrimi të publikuar në mediet greke se është dënuar në vendin fqinj për falsifikim dokumentesh.
Irena Gjoka ështe edhe gjyqtarja paraprake e dosjes “Partizani”, në të cilën është marrë i pandehur ish-kryeministri Sali Berisha.