AKTUALITET, 20 Nëntor 2024, 13:53

"Klea" 20 vjeçar/ Mashtronte nxënës e mësues duke u premtuar programe arsimi falas në SHBA, dërgohet për gjykim Ermes Hoxhalli

"Klea" 20 vjeçar/ Mashtronte nxënës e mësues

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur dosjen dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj Ermes Hoxhallit, 20-vjeçari i cili akuzohet si organizatori i një skeme mashtrimi në institucionet arsimore me bursat për studim.

Sipas organit të akuzës, 20-vjeçari ka mashtruar zyrtarë të ministrisë nëpërmjet falsifikimeve.

“Nga hetimet në kuadër të procedimit penal nr.1819, datë 11.03.2024, rezultoi se ky shtetas krijoi një identitet të rremë si Klea Rama dhe duke përdorur kredencialet e një diplomateje të lartë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara Tiranë, ka mashtruar zyrtarë të nivelit vendor arsimor në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

Bëhet fjalë për skemën e mashtrimit në institucionet arsimore me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”. Pas një hetimi intensiv 6-mujor nga Njësia e Hetimeve Kriminale pranë Ambsadës Amerikane në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës u zbulua se Ermes Hoxhalli 20-vjeç mashtronte mësues dhe nxënës duke premtuar programe me udhëtime falas në SHBA.

Në programin me bursa falas në SHBA rezultojnë të përfshirë një numër i madh nxënësish dhe mësuesish nga Shqipëria.

Kundrejt 20-vjeçarit është ekzekutuar një masë sigurimi “Arrest në burg”, të lëshuar nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Njoftimi i Prokurorisë:

PROKURORIA PRANE GJYKATES SE SHKALLES SE PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË

Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasin E.H. i cili premtonte bursa studimi falas dhe udhëtime në USA duke mashtruar zyrtarë të ministrisë nëpërmjet falsifikimeve

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin E.H. për veprën penale ‘Falsifikim kompjuterik’ dhe ‘Falsifikim i dokumentave’ të parashikuara nga nenet 186/a/1 dhe 186/2 të Kodit Penal, i hetuar me masë sigurimi, “Arrest në burg’.

Nga hetimet në kuadër të procedimit penal nr.1819, datë 11.03.2024, rezultoi se ky shtetas krijoi një identitet të rremë si Klea Rama dhe duke përdorur kredencialet e një diplomateje të lartë të Ambasadës së  Shteteve të Bashkuara Tiranë, ka mashtruar zyrtarë të nivelit vendor arsimor në Shqipëri. Duke pretenduar se udhëheq një projekt për të rinjtë nën logon, “Let’s talk together aboutUS’23 dhe 24” ai lëshoi edhe 19 çertifikata pjesëmarrjeje për nxënës dhe të paktën një mësues të shkollës së Mesme “Ali Demi”, Vlorë me temë “Projekti Let’s talk together about US’23”.

Nëpërmjet identitetit të krijuar si Klea Rama, shtetasi në fjalë pretendoi se ishte iniciator i projektit “Let’s talk together aboutUS’24” që mbulon Shqipërinë dhe ka për qëllim informimin e studenteve shqiptarw rreth studimeve në Shtetet e Bashkuara, për t’i aktivizuar ata në këto projekte dhe mbwshtetur disa me shuma financiare nëse kalojnë vlerësimet në kolegje Amerikane.

Dokumentat e falsifikuara si çertifikatat, vulat, firmat, logot, foto dhe videot e kqyrura dhe të sekustruara nga Prokuroria Tiranë gjatë hetimeve mbi këtë procedim penal, iu gjetën shtetasit E.H në laptonin e tij dhe aparatwt celularw. Po aty u gjet edhe adresa e e-mailit [email protected] me të cilën komunikonte me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.

Nga pasqyrimi i fakteve si më sipër, u arrit në përfundimin se me veprimet e tij, i pandehuri E. H., ka konsumuar plotësisht elementët e figurës së veprave penale të “Falsifikim kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, të parashikuara nga nenet 186/a/1 dhe 186/2 i Kodit Penal.