AKTUALITET, 22 Prill 2026, 21:16

"Kemi çështjen ende të pazgjidhur të ligjit të luftës", Rama nga Athina: Duam të mos jetë dhe nuk kemi probleme të tjera

"Kemi çështjen ende të pazgjidhur të ligjit të

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Athina, Greqi se ambicia e tij dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis është që brenda këtij viti të kenë dakordësi për të gjitha çështjet.

Gjatë bisedës me kryeredaktorin e gazetës Kathimerini, Alexis Papahelas në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit, Rama tha se “çështja Beleri na krijoi krijoi disa vështirësi në marrëdhënien tonë dhe kjo ishte një tjetër pasojë e paqëllimtë e asaj që ndodhi, por ajo që ka qenë karakteristike në marrëdhënien time me Kyriakos Mitsotakis është që ne kemi qenë gjithmonë respektues dhe të hapur me njëri-tjetrin, pa bërë teatër. Unë e respektoj shumë për këtë”.

“Vendosëm kohë më parë që nuk duhet t’i lëmë vendet tona që të përpihen nga këto lloj zënkash. Ne duhet që njëherë e mirë të zgjidhim të gjitha çështjet që janë midis nesh. Këtë po bëjmë, ambicia jonë është të përfundojmë brenda këtij viti dhe që vjeshtën e ardhshme të deklarojmë që kemi dakordësi për të gjitha çështjet”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “kemi një aset të madh për ne, pakica greke dhe diçka që është aset për ju, shqiptarët që jetojnë këtu dhe janë të integruar”.

“Nga ana jonë nuk ka asnjë problem për këtë çështje, kemi çështjen ende të pazgjidhur të ligjit të luftës, duam të mos jetë dhe nuk kemi probleme të tjera. Kemi diçka që është një aset i madh për ne që është pakica greke dhe diçka tjetër që është aset i madh për ju që janë qytetarët shqiptarë që jetojnë këtu, të cilët janë shumë dhe plotësisht të integruar. U detyrohemi të dyja palëve që të kemi një raport miqësor”, nënvizoi Rama.

Rama iu përgjigj edhe pyetjes për çështjen Beleri, duke theksuar se nuk ka arsye pse duhet t’i kthehen kësaj çështjeje pasi ai siç u shpreh kryeministri, “është i lumtur është eurodeputet”.

“Për të çdo gjë përfundoi në të tillë mënyrë sa çdo kryetar bashkie që është çuar në paraburgim do ta kishte ëndërr, por vazhdojnë të jenë në burg. Sot kam provë që në atë kohë dukej sikur ishte rast unik. Dhe jam përpjekur t’ia shpjegoj mikut tim të dashur Kyriakos Mitsotakis që kjo është diçka që ka të bëjë me një model në vendin tonë pas reformës në drejtësi që po bëhet një problem”, tha Rama.

Mund ta ndaj me ju, vijoi Rama, nuk jam krenar për këtë, por gjyqësori është i pavarur dhe ne duhet të merremi me këtë me durim.

“Në Shqipëri sot kemi 58% të personave në burgje që ende nuk kanë gjyq. Kryetari i bashkisë së Tiranës nga partia ime, është burgosur në janar 2025 dhe vazhdon të jetë ende në burg dhe procesi gjyqësor sapo ka nisur. Kur thashë që për Belerin përfundoi në mënyrë të mrekullueshme sepse është eurodeputet, e kam fjalën që ka marrë fund, nuk dua t’i kthehem kësaj gjëje dhe kam provë tashmë që kjo nuk është diçka që ka prekur vetëm një grek etnik. Është diçka që ka prekur shumë njerëz dhe mund të numëroj edhe të tjerë kryetarë bashkie që janë përballur me këtë”, tha Rama.