AKTUALITET, 31 Mars 2026, 13:56

“Gjuhë e papërshtatshme”/ Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh keqardhjen për deklaratën e Osmanit. Moderatorja kërkon falje

“Gjuhë e papërshtatshme”/ Komisioneri për Mbrojtjen

Moderatorja e reality show-t Ferma VIP, Arbana Osmani ka shkaktuar debate në lidhje me një koment të sajin gjatë spektaklit. 

Gjatë diskutimeve, Arbana Osmani iu drejtua një prej “fermerëve”, konkretisht Akilit, duke u shprehur: “Me thënë të drejtën, ke marrë pak si pushka e jevgut”.

Edhe pse moderatorja kërkoi falje, ky deklarata e saj u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale duke shkaktuar debate. 

Lidhur me deklaratën ka reaguar edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. 

"Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi është njohur me përmbajtjen e emisionit “Ferma Vip”, në operatorin kombëtar “Vizion Plus” datë 30.3.2026, në lidhje me përdorimin e gjuhës së papërshtatshme, steriotipeve, që mund të krijojë shqetësime tek komunitetet. 

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh keqardhjen për përdorimin e gjuhës së papërshtatshme dhe steriotipeve racore, e cila nuk parandalohet në kohë reale dhe kanë mundësi të përhapet në rrjetet sociale duke dëmtuar personat e përfshirë dhe më gjerë.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi çmon se platformat televizive kombëtare me rezonancë të lartë në shoqëri, kanë përgjegjësi publike për mesazhe gjithëpërfshirëse, që luftojnë diskriminimin, promovojnë Barazinë, si dhe respektojnë dinjitetin e çdokujt.

Në këtë kontekst, Institucioni i KMD fton produksionin e emisionit "Ferma Vip", në operatorin me liçensë kombëtare "Vizion Plus" të krijojnë mekanizma parandaluese dhe trajtimin e gjuhës së papërshtatshme në transmetimet e tyre".