BOTA, 22 Mars 2024, 19:11

Princesha e Uellsit diagnostikohet me kancer: Kam nisur kimioterapinë!

Princesha e Uellsit diagnostikohet me kancer: Kam nisur kimioterapinë!

Mbretëri e Bashkuar - Pas muajsh spekulime për vendndodhjen dhe gjendjn e saj, Princesha e Uellsit, Kate Middleton, ka zbuluar se është diagnostikuar me kancer dhe ka nisur trajtimin me kimioterapi. 

Në një deklaratë me video, Kate thotë se diagnoza ishte një "goditje e madhe" pas një "periudhe të vështirë" të disa muajve.

Detajet e kancerit nuk janë bërë publike, por Pallati Mbretëror thotë se është i bindur se princesha do të ketë një shërim të plotë. 

Kate ka shpjeguar se pas një operacioni abdominal në janar, u zbulua kanceri. 

"Testet pas operacionit zbuluan se kanceri ishte prezent. Ekipi im mjekësor më këshilloi që të nis një kurs të kimioterapisë parandaluese dhe tani jam në fazat e hershme të këtij trajtimi," tha princesha.

Kate tha se rikuperimi nga operacioni mori kohë dhe tani prioriteti është familja e saj.

"William dhe unë kemi bërë gjithçka që kemi mundur për të menaxhuar këtë situatë në mënyrë private për hir të familjes sonë të re."

Princesha shtoi: "Na është dashur kohë për t'i shpjeguar gjithçka Xhorxhit, Charlotës dhe Luisit në një mënyrë të përshtatshme për ta."

Ajo tha se tani familja ka nevojë për "kohë, hapësirë dhe privatësi".

Deklarata e Kate Middleton vjen pas muajsh spekulime në media dhe rrjetet sociale, lidhur me vendndodhjen e saj, pasi nuk ishte shfaqur në publik që pas operacionit në Janar. 
Histeria e rrjeteve sociale prodhoi shumë teori konspirative, disa prej tyre të përqafuara edhe nga mediat.