AKTUALITET, 18 Dhjetor 2025, 15:10

Kaosi në Kuvend, Korreshi: Kërkesa e PS për përjashtim? Ne jemi dhunuar

Kaosi në Kuvend, Korreshi: Kërkesa e PS për përjashtim? Ne

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, në një intervistë për News 24, komentoi tensionet dhe kaosin e shkaktuar sot në Kuvend, gjatë seancës që zgjati vetëm një orë.

“Nuk ka më shtet. Unë jam pjesë e Komisionit të Këshillit të Mandateve dhe mund të them vetëm këtë, për mua është bërë gjenocid me fondet publike. Nuk ka bërë vaki kurrë”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu kërkoi ndjesë për fjalët ofenduese që përdori në seancë gjatë përplasjeve me Gardën.

Korreshi theksoi se nuk mund të kishte një seancë normale, kur nga qeveria është bërë “gjenocid” me paratë publike, duke iu referuar çështjeve që po hetohen nga SPAK në lidhje me zëvendës kryeministren e marrë të pandehur Belinda Balluku për shkelje të barazisë në tendera, dhe aksionin në AKSHI.

Sipas tij, skandali në AKSHI është më i rëndi në 35 vite demokraci.

“Kam thënë ca fjalë që goja shpëton por nuk ka pasur asnjë qëllim që të ofendoj njeri por situata e vështirë kam dalë pak nga situata. Gjithsesi nuk kam dëshirë që të dilnin nga goja. Shteti de facto bashkëpunon me krimin dhe nuk mund të kesh seancë normale të flasësh për Vitin e Ri. Ky është skandali më i madh në 35 vjet demokraci. Është tregtuar buxheti i shtetit sikur me pas gjelin e vitit të ri. Për njerëzit vetëm kockat. Kjo është dramë.”, tha ai.

Ai u pyet live edhe për kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e disa deputetëve demokratë, mes të cilëve edhe Korreshi, për kaos dhe dhunë. Sipas tij, janë deputetët ata që janë dhunuar.

“Fatmirësisht kam qenë në dritën e diellit, kamera ka qenë e fokusuar të pjesa ime. Ne kemi qenë të dhunuar.”, theksoi ai.