AKTUALITET, 18 Dhjetor 2025, 11:37

Kaosi në Kuvend, Balla: I vendoset zjarri godinës, me urdhër të Berishës. Sjellja e opozitës për të motivuar mbështetësit

Kaosi në Kuvend, Balla: I vendoset zjarri godinës, me urdhër

Deputetët e Partisë Socialiste kanë reaguar pas tensioneve të shënuara në Kuvend, ku deputetët demokratë u përplasën me gardistët në përpjekje për të bllokuar seancën plenare.

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla akuzo Berishën për zjarrin ndaj së Kuvendit të Shqipërisë.

“Me urdhër të Sali Berishës i vendoset zjarri godinës së Kuvendit të Shqipërisë. Kjo është një vepër e rëndë penale që po ndodh në flagrancë!”, shkruan Balla në rrjetet sociale.

Balla deklaroi në sallën e Kuvendit duke akuzuar opozitën për bllokim të qëllimshëm të punimeve parlamentare.

Në fjalën e tij, Balla u shpreh me ironi se sjellja e opozitës lidhet me përpjekjen për të motivuar mbështetësit e saj që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar, duke sakrifikuar debatin institucional dhe respektimin e procedurave parlamentare.

“Me shpresën se do të motivohen mbështetësit e Partisë Demokratike për të shkuar në protestën e paralajmëruar, opozita po pengon zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit”, deklaroi Balla.

Ai theksoi se, në respekt të plotë të procedurës parlamentare dhe bazuar në nenin 49, pika 1 e Rregullores së Kuvendit, mazhoranca gjendet në pamundësi për të zhvilluar diskutimet e parashikuara në agjendën e ditës, përfshirë edhe çështje të rëndësishme si lufta kundër krimit.

“Sot kemi pasur në agjendë diskutime të rëndësishme, përfshirë edhe luftën kundër krimit, por duket qartë se opozita nuk dëshiron debat dhe nuk lejon zhvillimin normal të seancës”, u shpreh Balla.