AKTUALITET, 18 Nëntor 2024, 22:57

"Jeta si poet, më e vërtetë! Letërsia nuk ka kompromise"/ Mero Baze rrëfen librin me poezi, "Shi me baltë"

"Jeta si poet, më e vërtetë! Letërsia nuk ka

Mero Baze, ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, për një arsye mjaft të veçantë. Ai ka botuar librin me poezi "Shi me baltë", të cilin e përshkruan si një përpjekje më të vërtetë se gazetaria për të thënë ato që mendon, duke qenë se nuk mbart kompromiset apo autocensurën që shoqëron gazetarinë shqiptare. 

Ai u ndal te poezia "Atdheu", që shërben si prolog i librin dhe tha se Atdheu jonë sot ka shumë pikëpyetje. 

"Dilemat që ne kemi, poezia përpiqet të ngrejë një debat për të vërteta, që arti duhet të prekë. Ata që vijnë nga gazetaria, dhe furnizojnë letërsinë nga gazetaria, janë pak më tokësorë sesa poetët dhe shkrimatarët. Arti dhe letërsia duhet të kthejnë sytë nga të vërtetat e hidhura të atdheut. Drama që përjeton poezia dhe proza, është shkëputja nga të vërtetat, nga ngjarjet që e formësojnë atdheun.

Pas ikjes së Kadarësë dhe Agollit, ka një boshllëk, është gati e gjymtuar letërsia dhe mungon historia e atdheut tonë, është nga gjymtyrët që i mungon letërsinë tonë. Nuk është se atdheu jonë është më i varfër, apo më i keq, apo më i vrazhdë. Ka patur periudha edhe më të errëta. Tani është më i pasur dhe luksoz, por e duam më pak.

Atdheu jonë tani ka shumë pikëpyetje në një shoqëri kozmopolite, të hapur, të rrjeteve sociale. Brezat e rinj nuk po e identifikojnë më veten me atdheun dhe kjo është një dilemë që duhet ta diskutojmë", tha Baze. 

I pyetur nga gazetari Ylli Rakipi se cila prej "dy jetëve" që ai ka jetuar është më e vërtetë, Baze tha se është ajo si poet. 

"Problemi ekziston ende, te ne që jetën tjetër e kemi si gazetarë. Ne nuk i themi dot të gjitha të vërtetat pavarësisht se Shqipëria është e lirë. Kemi autocensurën tonë, vendosjen dhe pozicionin tonë në Shoqëri. Diktatura është copëtuar në disa diktatura të vogla dhe kemi diktaturën e vetes.

Duke më vënë në këtë dilemë, duke krahasuar veten si gazetar dhe poet, do të thosha se jeta si poet është më e vërtetë, atë që e falim në gazetari nuk e falim në letërsi. Letërsia është e vërtetë. Edhe nën diktaturë, edhe tani, letërsia e mbyt pjesën tjetër të jetës me të vërtetën. Është më e vërtetë letërsia.

Është një debat i përbotshëm, edhe në Shqipëri është ky. Duhet të na vijë turp nga vetja për gjyqin që i bëhej Kadaresë, thoshin është shkrimtar i mirë por është zënë me shitësen e lagjes", tha ai. 

Baze u pyet nga Rakipi se çfarë mendon se nuk ka bërë mirë në jetë, kur reflekton për të shkuarën dhe të tashmen. 

"Çfarë nuk kemi bërë mirë si qytetarë, kemi bërë kompromise në momente kur mungesa e kompromisit mund ti bënte shumë më mirë shoqërisë. Kompromise me politikën, biznesin, me shoqërinë dhe veset e shoqërisë, veset tona, por njeriu e ka të vështirë të numërojë në biografinë e vet se ku e ka dëmtuar ai shoqërinë dhe ku e ka dëmtuar shoqëria atë. Në jetën e përditshme nuk i bën dot gjyq vetes, por në letërsi është me e lehtë.

Ne kemi gabuar kur kemi mbështetur politikanë që nuk duheshin mbështetur. Nuk mund ti bësh vetes gjyqin pse ishe budalla apo naiv në një kohë. E rëndësishme është ta kuptosh cfarë ka ndodhur dhe ta transmetosh pë të tjerët", tha Baze.  

INTERVISTA E PLOTË: