AKTUALITET, 28 Nëntor 2024, 12:59

"Jam i emocionuar"/ Shqiptari nga New Jersey i bashkohet festimeve në Tiranë: Prej 45 vitesh jetoj në SHBA, punoj si oficer policie

"Jam i emocionuar"/ Shqiptari nga New Jersey i bashkohet festimeve

Në kuadër të festimeve për Ditën e Pavarësisë, qyteti i Tiranës është mbush me ngjyrat kuqezi, ku dhe u mbajt Parada e Shqiptarëve, me pjesëmarrës nga diaspora, vendi dhe rajoni.

Midis tyre ishte edhe Lirim Krama, një shqiptar i diasporës që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe shërben si oficer policie.

I veshur me uniformën e policisë amerikane, Krama ndau emocionet e tij për këtë ditë të shënuar në një intervistë për Euronews Albania. Ai theksoi se ndihet shumë i lumtur që është pjesë e këtij momenti të veçantë në Shqipëri, pavarësisht se ka jetuar në SHBA për 45 vite.

"Kam 45 vite që jetoj në SHBA. Kam qenë në shërbim të policisë amerikane për 23 vjet. Vjet e festuam në New Jersey, por është një kënaqësi e madhe të jem këtu, aty ku janë rrënjët e çështjes shqiptare. Jam tepër i emocionuar, kudo që shoh janë ngjyrat kuqezi," - tha Krama.

Ai theksoi se, pavarësisht largësisë, ruan me shumë përkushtim traditat dhe zakonet shqiptare. "Ne që jetojmë larg vendlindjes, gjithmonë shpresojmë të kthehemi. Të gjitha zakonet dhe traditat i zbatojmë edhe në SHBA. Çdo vit kthehemi këtu për pushimet verore dhe ndoshta pas pensionimit, do të kthehemi për të jetuar përfundimisht," përfundoi ai.

Parada e shqiptarëve me pjesëmarrës nga diaspora ishte një mundësi e shkëlqyer për të festuar lidhjen e fortë mes Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë.