AKTUALITET, 15 Janar 2026, 15:21

Ish-kryepolici Ahmeti për arratisjen e Altin Ndocit: Nuk është zbatuar protokolli i masave, përgjegjësia te Burgjet!

Ish-kryepolici Ahmeti për arratisjen e Altin Ndocit: Nuk është

Ish-kryepolici Krenar Ahmeti mendon se përgjegjësia për arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit dy ditë më parë qëndron e gjitha tek Burgjet dhe veçanërisht Policia e Burgjeve, që nuk ka zbatuar protokollin e masave dhe standardet e shoqërimit sipas sigurisë.

Ai vë në dukje edhe faktin se Policia e Shtetit nuk është njoftuar për rastin, ndaj edhe uniformat blu “e kanë larë veten” për arratisjen.

Për Ahmetin duhet të vendosen prangat për përgjegjësit, sepse në kohën kur ai ishte pjesë e strukturave ligjzbatuese, nuk hapej e mbyllej dera pa dijeninë e tij, pasi merrte informacione dhe vihej në dijeni për çdo lëvizje që kryhej.

“Përgjegjësia është e stafit të Burgjeve, duhet të merrte masat dhe të njoftonte. Policia bën masat e veta, kryen veprime proceduriale dhe secili institucion merr masat e tij për rastin. Por masat e marra për rastin nuk janë ato të duhurat sipas standardeve. Sepse ka protokoll të caktuar në varësi të rrezikshmërisë. Sa herë hapeshin e mbylleshin dyert e burgut, unë vihesha në dijeni. Duhet të ketë profesionalizëm total dhe në atë kohë ka pasur një profesionalizëm të tillë. Në çdo cep të vendit i shoqëronim ne”, tha ish-kryepolici.

Më tej Ahmeti shtoi se aty ka përgjegjësi dhe implikime, por nuk janë të gjithë të përfshirë.

“Por duket se aty ka implikim, sepse masat e marra nuk janë zbatuar të gjitha. Por duhet theksuar se aty nuk janë implikuar të gjithë, ndaj duhet sqaruar e gjithë procedura nga fillimi deri në fund. Policia e lau veten, nuk i mungojnë asnjë tjegull, është në rregull. Tani duhet të sqarojë Policia e Burgjeve. Ka veprime proceduriale dhe protokoll të qartë, masat merren gjithnjë sipas rrezikshmërisë së personit që do shoqërohet”, analizoi ish-efektivi.

Ahmeti nënvizoi se ngjarja duhet të hetohet me detaje, në “çdo gërmë” dhe përgjegjësit të dalin para ligjit dhe të arrestohen.

“Duhet të japin shpjegime dhe llogari të gjithë. Duhet të ishin marrë masat sipas protokollit, duhet të shpjegohet përse nuk janë marrë, nga a-ja tek zh-ja të analizohen përgjegjësitë. Të japë llogari edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Se që ai do kapet, do kapet, por duhet të analizohet përse nuk është zbatuar plani i masave”, theksoi ai.