AKTUALITET, 29 Prill 2024, 12:53

Interpelanca me Ramën/ Nikolla: Objekti s’ka lidhje me procedurën, nuk përfshihet në kalendar! Bardhi: Sa herë e thërrasim, ai fshihet pas Elisës

Interpelanca me Ramën/ Nikolla: Objekti s’ka lidhje me

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit të PD-së Gazment Bardhi është përplasur me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, për mos përfshirjen në draf-kalendar të kërkesës së opozitës për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për investigimin e RAI3.

Bardhi shprehet se sa herë Kuvendi ka kërkesa të tilla kryeministri shmanget duke u mjaftuar me një postimin në Twitter ose duke u fshehur pas Elisa Spiropalit.

Ndërsa Nikolla i përgjigjet duke thënë se objekti nuk ka lidhje me procedurën, ndaj nuk është futur në kalendar.

Bardhi: Nuk e kuptoj pse në draft-kalendare nuk është përfshirë kërkesa e grupit të PD, për interpelancë urgjente. Shpresoj të jetë gabim teknik pasi ndryshe do të ishte një shkelje e rëndë kushtetuese. Sa herë ka kërkesa të tilla kuvendi, shmanget dhe mjaftohet duke lexuar statuset e Kryeministrit në Twitter. Kërkoj të shtohet në Kalendar.

Nikolla: Shqetësimi që keni paraqitur ju në interpelancë, pra objekti nuk ka lidhje me procedurën që do të duhet të thirret një interpelancë. Prandaj dhe nuk përfshihet.

Bardhi: Unë e kuptoj se ju recitoni diçka që ju kanë shkruar. Në bazë të kushtetutës unë kërkoj që kryeministri të vij dhe të jap sqarime për një ndërhyrje skandaloze që ka bërë si kryeministër ndaj një media ndërkombëtare..

Bardhi-Nikolles: Ju nuk jeni roje e Edi Ramës. Sa herë ka kërkesë për interpelancë ju dilni me mbrojtje dhe shkelni kushtetutën. Më vjen keq tani. Sa here e thërrasim ne, ai fshihet pas Elises.