AKTUALITET, 23 Prill 2026, 12:10

Qeveria çon në Kuvend raportin me 86 faqe për negociatat e anëtarësimit në BE: Tani faza e mbylljes së kapitujve, u miratuan 222 ligje dhe VKM

Qeveria çon në Kuvend raportin me 86 faqe për negociatat e

Qeveria ka dorëzuar në Parlament në raport mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, i cili jep një pasqyrë të detajuar mbi situatën ku ndodhet vendi ynë në negocimin e kapitujve.

Dokumenti me 86 faqe, flet për 222 akte të miratuar nga periudha prill 2025- prill 2026 në Parlament dhe Qeveri që kanë të bëjnë me kapitujt që po negociohen në Bruksel. Nga këto 44 janë ligje, 78 janë VKM dhe 100 akte nënligjore.

“Periudha 2025–2027 përfaqëson, për shkak të çeljes së bisedimeve për anëtarësim dhe kalimit solid për të cilin mbetemi shpresëplotë, drejt fazës së përgatitjes teknike për mbylljen e negociatave, një fazë të përshpejtuar dhe të thelluar të procesit të integrimit, i cili shoqërohet edhe me një proces intensiv përafrimi me Acquis të BE-së, ku: viti 2025 shënoi kulmin e punës për hapjen e negociatave dhe përmbushjen e Piketave të Ndërmjetme, ndërsa vitet 2026–2027 do dominohen nga përgatitja teknike për përmbushjen teknike të kushteve mbyllëse, të përcaktuara nga BE për Shqipërinë, për mbylljen negociatave dhe konsolidimin e reformave për anëtarësimin dhe transformimin evropian të vendit, nga vend kandidat, në atë të negociatave për anëtarësimin e tij në vend anëtar”, thuhet në raport.

Sipas dokumentit të Qeverisë gjatë vitit 2025 dhe në fillim të vitit 2026, Shqipëria ka konsoliduar qasjen e saj të bazuar në rezultate, duke ndërthurur përmirësime institucionale, instrumente të reja rregullatore, rritje të kapaciteteve dhe rezultate me tregues të matshëm, duke avancuar kështu dukshëm në konsolidimin e Reformës në Drejtësi, luftës kundër krimit, korrupsionit, të drejtave të njeriut dhe barazisë.

Në raportin e qeverisë mbi procesin e anëtarësimit dhe integrimit të Shqipërisë në BE për vitin 2025-2026, pasqyrohet objektivi për plotësimin e kushteve përmbyllëse për 10 kapituj brenda vitit 2026-2027.

Kapitulli 30 "Marrëdhëniet me Jashtë"
Kapitulli 25 "Shkenca dhe Kërkimi Shkencor" Kapitulli 26 "Arsimi dhe Kultura"
Kapitulli 20 "Ndërmarrjet dhe Politika Industriale"
Kapitulli 6 "Legjislacioni për Shoqëritë Tregtare" Kapitulli 7 "E drejta e pronësisë intelektuale" Kapitulli 32 "Kontrolli Financiar"
Kapitulli 5 "Prokurimi Publik"
Kapitulli 4 "Lëvizja e Lirë e Kapitalit❞
Kapitulli 21 "Rrjetet Trans-Evropiane"
Tre kapitujt 30-‘Marrëdhëniet me Jashtë’, 25-“Shkenca dhe Kërkimi Shkencor” dhe 26-“Arsimi dhe Kultura”, konsiderohen si të arrira dhe se kërkesat teknike janë përmbushur. Ndërkohë kapitujt 6,7,20, dhe 32, kanë progres të avancuar dhe do të konsiderohen të përmbushur në muajt pasardhës.

Në kapitujt 4,5, dhe 21 puna vijon me prioritet dhe përmbushjen e kushteve teknike.

Drejtësia

Në raportin mbi procesin e anëtarësimit dhe integrimit të Shqipërisë në BE për vitin 2025-2026, thuhet se është bërë progres në forcimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, në rritjen e vlerësimit për gjyqtarët e prokurorët, është evidentuar ulje e çështjeve të prapambetura.

Referuar punës së SPAK, në raport thuhet se është vërejtur rritje në numër dhe cilësi sa i përket referimit të çështjeve lidhur me korrupsionin dhe krimit të organizuar.

Sa i përket kushteve të ndërmjetme, në raport thuhet se Shqipëria ka avancuar me plotësimin e 24 piketave të përcaktuara për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.

“Këto kushte përbëjnë pikat kyçe në negociatat e anëtarësimit, për të garantuar një ecuri të qëndrueshme dhe të besueshme veçanërisht në fushat e Shtetit të së Drejtës, reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut”, thuhet në raport.
Çështja e harmozimit të legjislacionit

Çështja e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, mbetet një prej hallkave kryesore për anëtarësim. Krahasuar me vitin 2024 ku janë miratuar vetëm 82 akte, në vitin 2025-2026 janë miratuar në Kuvend 222 akte ligjore, duke treguar rritje të ndjeshme të aktivitetit normativ.

“Ky intensifikim tregon se procesi i përafrimit ka kaluar nga një fazë relativisht më e përgjithshme legjislative (në vitin 2024), drejt një faze shumë më të targetuar të transformimit evropian të vendit, me natyrë teknike, sektoriale dhe të orientuar drejt rezultateve, duke u udhëzuar nga prioritet e bisedimeve të negociatave, tashmë të qarta dhe të dakordësuara me BE për çdo fushë/kapitull, ku kërkohet:

• harmonizim i detajuar rregullator,

• ngritje mekanizmash zbatues,

• dhe forcim i kapaciteteve institucionale dhe atyre të tregut e më gjerë sistemit shoqëror”, thuhet në raport.