AKTUALITET, 1 Shkurt 2023, 12:02

Ilirjan Celibashi tregon ç’do të ndodhë me regjistrimin e PD-së së Berishës në zgjedhje

Ilirjan Celibashi tregon ç’do të ndodhë me regjistrimin e

Komisioneri Shtetëror Ilirjan Celibashi tha se e ka një ide se si do të shkojë ngërçi në Partinë Demokratike, se cila nga palët do të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit, lista e kandidatëve të Sali Berishës apo ajo e Enkelejd Alibeajt.

Në një prononcim me gazetarët, nëse do të aplikojë KQZ dhe precedentin e vitit 2019 kur u regjistrua në KQZ dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit, Celibashi theksoi se vendimmarrja do të bëhet në përputhje me ligjin, në bazë dhe të dokumenteve, ankimeve, apo dhe vendimeve të gjykatave që janë marrë deri më tani.

Precedenti dhe vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri që njeh PD-në e Sali Berishës do të merren në konsideratë gjithashtu u shpreh Celibashi për të vendosur më pas.

“Kemi kohë që kjo situatë të zgjidhet. Do të ishte mirë ta zgjidhnin mes njëri-tjetrit por unë jam i fundit në radhë që të jap këshilla për partinë kryesore të opozitës si duhet t’i zgjidhin problematikat e tyre. Mua më takon të jem i ftohtë në gjykimin tim në momentin kur duhet të vendos”, tha ai.

Pyetje: A është realitet ligjor për ju vendimi i gjykatës i 25 marsit që ka njohur Sali Berishën si kryetar të PD? A do të aplikojë KQZ të njëjtin precedent të ndjekur në 2019, asokohe u regjistrua Bindja Demokratike e Astrit Patozit, sa kohë ka dy palë lista?

Ilirjan Celibashi: Vendimmarrja do të jetë në përputhje me ligjin dhe pse këto realitete ekzistojnë dhe perceptohen dhe tek unë në një mënyrë apo në një tjetër por në fund vendimmarrja do të jetë në përputhje me parashikime e ligjit. Nëse do e bëja një vendimmarrje tej parashikimit të ligjit do të thotë që ishte e bazuar o në interes o në presion apo ku di unë. Thënë qartë dhe prerë

Pyetja e merr përgjigjen në momentin kur të duhet të vendoset për regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor. Unë jam njohur dhe me atë vendim të gjykatës së Tiranës do të jetë dhe ai vendim pjesë e vlerësimit nga ana ime si komisioner, sikurse dhe çdo dokumentacion që çdo kush mendon që do të duhet ta paraqesë në mbështetje të kërkesës së tij për regjistrimin e partisë si subjekt zgjedhor. Pak a shumë e mendoj si mund të jetë por kam kohë për ta vendosur kur të jetë kërkesa.

Sot kam mendim e gjykim bazuar në atë që është bërë me dije, por në fund duhet të vendos mbi atë dokumentacion që do paraqitet formalisht para meje.

Kemi kohë që kjo situatë të zgjidhet. Do të ishte mirë ta zgjidhnin mes njëri tjetrit por unë jam i fundit në radhë që të jap këshilla për partinë kryesore të opozitës si duhet t’i zgjidhin problematikat e tyre. Mua më takon të jem i ftohtë në gjykimin tim në momentin kur duhet të vendos.

Precedenti i Bindjes Demokratike nga precedenti tjetër, ankimet, dokumentacioni, do të jetë pjesë e vlerësimit.

Pyetje: Çështja është në gjykatë, nëse gjykata do të marrë vendim pas 7 marsit, para 13 majit a do ketë mundësi KQZ të vendosë për ndryshim të kandidatëve për regjistrim të partive?

Celibashi: Nuk ta them dot këtë. Këto pyetje me nëqoftëse, s’i kthej dot përgjigje. Janë disa afate brenda të cilave mund të bësh ndryshime. Por përtej këtyre afateve s’mund të bësh ndryshime. Nëse një vendim i tillë merret pas datës 7 mars, atëherë dikush ka probleme me sjelljen institucionale.