AKTUALITET, 29 Janar 2023, 11:03

I riu u aksidentua për vdekje, banorët e Elbasanit protestë në Unazën Jugore të qytetit, ja çfarë kërkojnë

I riu u aksidentua për vdekje, banorët e Elbasanit protestë

Një grup banorësh kanë protestuar sot në Unazën Jugore të Elbasanit, aty ku disa ditë më parë u aksidentua për vdekje një 20- vjeçar i identifikuar me emrin Fiori Sula, i cili u përplas nga një makinë që drejtohej nga personi i identifikuar me emrin Aristir Dimo, konsull nderi në Bullgari.

Në protestë kanë marrë pjesë edhe Forumi Rinor i PD-së në Elbasan.  Banorët që kanë protestuar sot kanë bllokuar rrugën përkohësisht, duke bërë thirrje që të forcohen masat e kontrollit në këtë segment rrugor me rrezik për jetën e këmbësorëve.

Aksidenti i rëndë me vdekjen e 20-vjeçarit, banorët e Elbasanit protestë në Unazën Jugore të qytetit: Segment i rrezikshëm, të forcohen kontrolle. Ata gjithashtu kanë kërkuar ndërtimin e një nënkalimi në Unazën Jugore, ku aksidentet gjatë viteve të fundit kanë qenë të shumta. 

Si ndodhi aksidenti? 

Aksidenti ndodhi më 23 Janar në unazën e qytetit të Elbasanit. Autori i dyshuar Aristir Dimo ka përplasur me makinë tip 'Benz' 20- vjeçarin Fiori Sula i cili po lëvizte më këmbë dhe ndërroi jetë në vend. Pas aksidentit shoferi i mjetit 65-vjeç është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa arrestimi i tij është bërë më datë 27 janar.

Aristir Dimo do të përballet me akuzën për veprat penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe "Largimi nga vendi i aksidentit".

Në vijim të veprimeve, automjeti tip "Benz" u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.